Ceremonia e homazheve/ Fëmijët dhe të afërmit i japin lamtumirën major Klodian Tanushit

16 Maj 2019, 10:53

Ditën e sotme po i  jepet lamtumira 'Dëshmorit të Atdheut', major Klodian Tanushi, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni. Në nder të komandantit të kontigjentit shqiptar në Letoni sot është shpallur ditë zie kombëtare. Në në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Homazhet për 'Dëshmorin e Atdheut', po zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, dhe do të vijojnë deri në orën 12:00.

Më pas, po në mjediset e Muzeut, do të mbahet ceremonia shtetërore në nder të major Klodian Tanushit, përpara se arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar  të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve.

Tanushi nuk mundi që t'i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Kjo minë pasi i mori jetën në vend nëntetares Zarife Hasanaj, i kushtoi vdekjen edhe major Tanushit. Ai edhe pse u shtru në spitalin e Rigës për disa ditë në gjendje të rëndë, humbi betejën me jetën  mbrëmjen e së premtes më 10 maj. Majori la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë, më të voglin vetëm një vjeç.Kanë nisur homazhet për majorin e rënë në krye të detyrës në Letoni, Klodian Tanushi në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Në këtë ceremoni po marrin pjesë një numër i madh ushtarakësh, të afërmish dhe figura politike. Ndërkohë anash arkivolit të 'Dëshmorit të Atdheut' janë familjarët e tij së bashku me tre fëmijët e vegjël që la pas. Djali i tij i madh 14-vjeçar, djali tjetër 11-vjeçar dhe vajza më e vogël 1-vjeçare.

Ndërkohë sot të gjithë flamujt e institucioneve do të jenë në gjysmëzhtiz në nderim të major Tanushit.