Çfarë mbeti nga 'Notre Dame'! Dhurohen 300 milionë euro për rindërtimin e Katedrales

16 Prill 2019, 12:15

Trishtim, të pafuqishëm, mosbesues! Këto tre ndjenja i gjen të përziera me njëra- tjetrën tek çdo francez, por edhe tek çdo qytetar i botës, të cilët është e pamundur që të mos kenë dëgjuar të paktën një herë në jetë për Katedralen Notre-Dame de Paris. Trishtim, sepse një pjesë e historisë u shkatërrua; të pafuqishëm, sepse përtej dëshirës së mirë, askush nuk mund të jepte një ndihmë sado të vogël, dhe mosbesues për atë se ç'mund të ndodhë me rikonstruktimin e Katedrales. A do t'i ngjajë ajo asaj të mëparshmes? Është kjo pyetja që kërkon një përgjigje të menjëhershme, por askush nuk di t'i përgjigjet.  

Pas më shumë se 9 orësh luftë me flakët, gati 400 forca zjarrfikëse nga Parisi kanë arritur që të shuajnë plotësisht zjarrin e tmerrshëm. Fatkeqësisht, 2 policë dhe një zjarrfikës u plagosën lehtë. Megjithatë, brigada e zjarrit ka dhënë lajmin e mirë se struktura e gurtë e katedrales është ruajtur si dhe disa nga veprat kryesore të artit.

Kryebashkiaku ka vënë në dispozicion 80 milion euro nga buxheti i shtetit që ishin parashikuar për qytetin, për rindërtimin e Katedrales, e megjithatë miliarderët në mbarë botën ka nisur të bëjnë dhurimet e para. I pari që dhuroi 100 milion euro ishte miliarderi Francois-Henri Pinault, e ndërsa pas tij, edhe pronari i Louis Vuitton dhuroi 200 mln euro, për rikonstruktimin e asaj që e quan 'simbol të Francës'.