Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.
Më 26 maj të vitit 1996-të në Shqipëri do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Zgjedhje që do të ishin një njollë e zezë në historinë e vendit pasi do të pasoheshin me kaos e dhunë ndaj opozitës së kohës. PD do i fitonte ato zgjedhje që u kontestuan ashpër nga opozita e kohës socialistët që edhe u dhunuan por edhe nga faktori ndërkombëtar. Mirëpo më shumë se dy muaj përpara zgjedhjeve Sali Berisha President i vendit bënte një deklaratë befasuese për gazetarët e huaj duke thënë : “Po fitoi PS zgjedhjet unë do të jap dorëheqjen”. Ky ishte një nga zhvillimet që pasqyroheshin në gazetën Koha Jonë në numrin e 14 marsit të vitit 1996-të. Gazeta Shqiptare shkruante se “Sita antikorrupsion hyn në veprim” duke shpjeguar se pushtetarët kanë marrë formularin për të deklaruar pasurinë. RD(Rilindja Demoktarike) botim i Partisë Demokratike si zhvillim kryesor pasqyron fjalën e Berishës në konferencën e liderëve të Partive të Bashkimit Demokratik Europain ku PD ishte pjesë dhe ku u përfaqësua nga Presidenti Berisha e jo nga kryetari i saj. Ndërsa ZP(Zëri i Popullit) botim i Partisë Socialiste në opozitë si zhvillim kryesor pasqyronte një mesazh të Dritëro Agollit për Berishën. Mesazhi kishte të bënte me hartimin e një ligji për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe e ku Agolli duke iu drejtuar Berishës i thoshte: “ Mos na bëni për të qeshur, zoti President”.



















