'Ciceron', aktivitetet e kulturës që mund të ndiqni sot

24 Dhjetor 2022, 12:07

Takimi i "Zonjushë Plastikës" me personazhet më të dashur të fëmijëve vjen me mesazhe të forta për mjedisin, nga Teatri i Kukullave. Shfaqja mbahet  këtë të shtunë e të diel në orën 10.30 dhe 11.30 në sallën "Tonin Harapi".Dy solistët e parë të baletit Adela e Anxhelo Muçollari shënojnë sot në orën 20.00  në “Opera” mbrëmjen e dytë të galasë “Back home”.  Bashkë me të tjerë artistë të ftuar, motër e vëlla sjellin në skenë një larmishmëri performancash klasike e bashkëkohore.

Bazuar në ngjarje reale, duke sjellë kohën e persekutimeve të klerikëve e besimtarëve, vijon sot dhe nesër  në orën 19.00 në skenën e Teatrit Eksperimental premiera “Gjaku i martirëve të kombit” me regji të Bajram Torbës e një kast të përzgjedhur aktorësh.

Vijon të jetë e hapur në galerinë “FAB” ekspozita personale “Gjendje” e piktorit Fatmir Tufina.

Pret vizitorët “Tek Bunkeri” në Tiranë ekspozita “Thumb në shënjestër” e artistit Endri Beqo me vepra të realizuara përgjatë një dekade.

Me disa prej emrave më të mirë të artit pamor bashkëkohor vendas, ekspozita “Muri” e çelur në Galerinë e Arteve Tiranë, pret vizitorët për të parë veprat e tyre të këtij viti.

Shfaqja për fëmijë "Të shpëtojmë luginën" me regji dhe tekst të Kristi Seranit shfaqet sot dhe nesër në orën 10.00 në teatrin “Skampa” në Elbasan.