COVID-19/ Komiteti Teknik i Ekspertëve: Mbeten në fuqi të njëjtat masa edhe për 2 javë të tjera

24 Mars 2021, 18:31

TIRANË- Masat anti-COVID që janë aktualisht do të vijojnë të qëndrojnë në fuqi edhe për të paktën 2 javë! Është ky vendimi më i fundit i Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët kanë sqaruar se edhe pse ka pasur një ulje të lehtë të rasteve, nuk është e mjaftueshme për të lehtësuar masat. Pjesë e vendimeve është edhe ndalimi i grumbullimeve i më shumë se 10 persona, që do të ndikojë edhe në bërjen e fushatës elektorale që do të nisë zyrtarisht ditën e nesërme, 25 mars.

Në më shumë se 1 vit pandemi, COVID-i ka rezultuar më fatal për meshkujt, e ndërsa situata në spitale ka pasur një përmirësim krahasuar me muajin shkurt, por rastet që vijnë shkojnë në gjendje të rëndë. Shqetësim është zgjerimi i hartës së zonave të prekura nga ky virus. Nga 104 fshatra e qytete "të infektuara", tani ka në 140 fshatra e qytete, e nisur nga kjo Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj pati një apel për qytetarët në zona të thella që të kenë më shumë kujdes. Kjo pasi marrja e shërbimit mjekësor për ta është më e vështirë.Masat që janë ende në fuqi
1.Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
2.Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
3.Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
4.Universitetet vijojnë online
5.Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe