COVID-19, nis në fundjavë vaksinimi i operatorëve turistikë, do sjelli lehtësime të sezonit veror

15 Prill 2021, 14:07

Ndërsa vaksinimi masiv vijon me ritme mjaft të shpejta, grupeve që po vaksinohen i shtohen këtë fundjavë edhe operatorët turistikë. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa vjen pas kërkesave nga vetë operatorët turistikë, për të patur një sezon veror të lehtësuar.

Ndërkohë, kujtojmë se vetë kryeministri Edi Rama është shprehur se ky sezon veror prite të jetë pa masa kufizuese, nisur nga përmirësimi i situatës me pandeminë në vend dhe ritmin e vaksinimit.

Ditën e djeshme, kreu i urgjencës, Skënder Brataj tha për "Report TV" se  janë garantuar mbi 50% e dozave që duhen, ndërsa shtoi se deri me tani është arritur 40% e imunizimit të tufës. Ai tha po ashtu se nga java në javë mund të ketë lirim të mëtejshëm të masave, por aktualisht për shkak të fushatës elektorale do të qëndrojmë në këto masa që janë për të mos rrezikuar.

Ditën e djeshme u kryen 12.944 vaksinime në të gjithë vendin, duke e çuar numrin total të të vaksinuarve në 294.160 në të gjithë vendin. 

Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars dhe po vijon  për të moshuarit, stomatologët, farmacistët, arsimtarët në shkollat private, edukatorët, punonjësit e rendit dhe punonjës të medias.