Dera e drunjtë e shtëpisë në Gryksh të Peqinit së familjes prej 4 anëtarësh që humbi jetën tragjikisht në Itali për shkak të helmimit nga gazi, qëndron e mbyllur, siç ata e kanë lënë para se të largoheshin. Ngjyra e saj e zbehtë, e vjetëruar nga koha dhe vende-vende e dalë boje, thyhet vetëm nga një mbishkrim: “Dari Kola.”
Është emri i djalit të familjes Kola, Hajdarit 22-vjeçar, i cili punonte elektricist. Dari, duket se ashtu siç bëjnë shpesh fëmijët gjatë lojërave të tyre, ka shkruar emrin e vet mbi derën kryesore.
Një mbishkrim që tashmë përkon me një dhimbje të paimagjinueshme, një tragjedi që me kohën, do të kthehet në një kujtim të trishtë.


















