Debat në Kuvend mes Ralf Gjonit dhe Ballukut, ministrja: Fushata elektorale ka mbaruar! Atë 'asaj' përdore në shtëpi, jo te unë

20 Maj 2021, 11:28 | Përditesimi: 20 Maj 2021, 11:34

Deputeti Ralf Gjoni dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u përfshinë në një debat në seancën e sotme parlamentare. Ndërsa Balluku foli për projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë", Gjoni hodhi akuza për sponsorizimit të ligjeve nga aktorë privat, ku tha se do ta investigojë atë.

"Shteti në Shqipëri është i kapur dhe flitet për një fenomen të frikshëm, atë të sponsorizimit të ligjeve nga aktorë privat përmes këshillit të ministrave dhe përdorimi i parlamentit si një zyrë noteriale e interesave oligarkike që përkthehen në nisma të Këshillit të Ministrave. Unë nuk shoh të përballemi me emergjenca në sektorin minerar që të kemi nevojë për ndërhyrje të tilla. Do e investigoj këtë ligj dhe aktorët që mund ta kenë sponsorizuar", tha Gjoni.

Balluku i konsideroi akuzat e tij si thjesht politike, ku i tha me ironi se duhej t'i kishte bërë ato gjatë fushatës elektorale. Gjoni replikoi nga vendi, ndërsa Ministrja i tërhoqi vërejtje për mënyrën se si po i drejtohej.

"I bëj me dije zotit Gjoni se fushata elektorale ka mbaruar. Ej i thërret dikujt tjetër, 'asaj' përdore në shtëpi, jo te unë. Pyetjet retorike skaduan në fushatë elektorale. Fushata ka përfunduar, këto me sponsorizime i dini ju më mirë se si duket keni funksionuar me sponsorizime. Ralf ti je djalë me edukatë, pse duhet të flasësh kështu? Ne nuk punojmë më sponsorizim", tha Balluku.

b.ha./Shqiptarja.com