Debati për listat, Rama: Na takon ne të vendosim, nuk më vjen mirë kur dëgjoj ambasadoren amerikane

30 Korrik 2020, 12:38

Kryeministri Edi Rama u shpreh se për sistemin vendosin vetë shqiptarët dhe se nuk i vjen mirë nga deklaratat e ambasadores amerikane, që tha dje se do i ndjekin me vëmendje drejtuesit politikë nëse do e mbajnë fjalën. "Kjo reformë falë këtij parlamenti u bë reformë, pasi deri në 5 qershor ishte formalinë. Dua t'i falenderoj të gjithë deputetët pa përjashtim për kontributin e dhënë për ta sjellë këtë ditë votimi në parlament dhe miqtë dhe partnerët. Të gjithë miqve dhe partnerëve u përcjell një mesazh, uroj që ta dëgjojnë sikur është; nga foltorja e një parlamenti dhe qeverie sovrane. Dhe po e nis me cfarë thotë komisioni i Venecias për sistemet zgjedhore. Shtetet kanë marzh të gjerë vlerësimi për përzgjedhjen e sistemeve, gëzojnë këtë marzh, pasi janë vendime politike. Komisioni i Venecias dhe OSBE nuk rekomandojnë ndonjë sistem të veçantë, nuk ka standarde ndërkombëtare. I takon shtetit shqiptar që të vendosë përmes parlamentit të vet, nuk është zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë me ambasadoren amerikane apo të tjerë. Nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, Uashingtonit, Brukselit apo Berlinit që kërkojmë në anglisht zgjidhjen e problemeve tonë. Nuk është përgjegjësia e tyre. Kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë se do i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë a do e mbajnë fjalën, sinqerisht nuk më vjen mirë, jo për veten time, por për të gjithë ne, dhe ajo fjali është një arsye për cdo person, qoftë socialist, demokrat, apo ballist, që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin e vet në këtë sallë, të mos e bëjë qesharak popullin e vet dhe vendin e vet, shtetin e vet" tha Rama. 

  •  

    No videos found.