Dëmtimet nga tërmeti/ 38 urdhër arreste për zyrtarë dhe ndërtues pallatesh! Mes tyre dhe ish-kryekomunarët e Farkës dhe Kasharit

14 Janar 2020, 19:58

TIRANE- Zyrtarë dhe ndërtues të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, në Vorë, Kashar dhe Farkë janë ndaluar nga policia gjatë një aksioni të finalizuar pasditen e sotme. Mësohet se Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 38 urdhër arresti, ndërsa mes të ndaluarve janë edhe ish-kryekomunarët e Farkës Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta.

Deri në këto momente janë arrestuar 27 persona, ndërsa vijon aksioni pë kapjen e 11 të tjerëve. Ata akuzohen për ndërhyrje për paligjshme në pallatet e dëmtuara, duke holluar bazamentet mbajtëse të tyre. Policia ka shoqëruar 30 persona të cilët po merren në pyetje.

Një javë më parë Shqiptarja.com paralajmëroi arrestimet e zyrtarëve dhe ndërtuesve të cilët kanë abuzuar me ndërtimet pa leje dhe me lejë, kryesisht në zonën e Freskut, Astirit, Kasharit dhe zonën e Ndroqit. Gjatë kësaj kohe në prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur dhjetëra kallëzime penale, ku banorë të ndryshëm denoncojnë në prokurori dhe polici, pronarët e bizneseve të kateve të para, të cilat i kanë kthyer apartamentet e pallateve të kateve të para në lokale. Në shumë kallëzime, banorët e pallatit janë bashkuar dhe kanë kryer një kallëzim të vetëm ndaj këtyre biznesmenëve, duke i akuzuar ata se kanë gërryer muret e brendshme kateve të parave, dhe kanë zëvendësuar me vetrata xhami, disa prej mureve kryesorë mbajtës.

Rreth një muaj më parë Prokuroria e Durrësit lëshoi 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë. Nga veprimet e hetimore kishte rezultuar se dëmtimet, shembjet e godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.