Denoncimi i PD-së/ Bardhi: Pas Endrit Dokles po përgatitet lirimi i një tjetër bosi të krimit nga burgu

17 Janar 2020, 16:25

TIRANE-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ndërsa akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se janë në dijeni të lirimit të bosëve të krimit, paralajmëron se një tjetër po përgatitet. Bardhi pyet kryeministrin dhe ministren Gjonaj se pse 'nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori?' Zyrtari i PD-së shprehet se askush 'nuk ka dyshimin më të vogël se lirimi nga burgu i bosëve të krimit të organizuar dhe vrasësve më të rrezikshëm është bërë me dijeninë e Edi Ramës'.

Por ku ndodhet procesi i Arben Grori? Procesi gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Tiranës për njohjen ose jo të vendimit me burgim të përjetshëm për vrasje ndaj Arben Grorit. Në rast se gjykata e Tiranës pranon të dënojë Grorin me 25 vite burgim dhe jo me burgim të përjetshëm si ka vendosur drejtësia Italiane, atëherë ai lirohet menjëherë, pasi këtë dënim tashmë e ka kryer. Grori është vëllai i të ndjerit Artur Grori, pronarit të kompleksit “Artur” në Mullet të Tiranës, i vrarë disa vite më parë nga Naim Zyberi.

    No videos found.