Përjashtohet gjyqtari/ 'Shpresa' për liri e të dënuarit me burg përjetë Arben Grorin pritet të nisë nga fillimi

Arben Grori

Procesi gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Tiranës për njohjen ose jo të vendimit me burgim të përjetshëm për vrasje ndaj Arben Grorit, dënim është dhënë nga drejtësia italiane, pritet të nisë nga fillimi. Kjo pasi sipas burimeve, me kërkesë të avokatëve mbrojtës të Grorit, gjykata ka përjashtuar gjyqtarin e çështjes Bedri Qori.

Ky vendim është marrë pikërisht në periudhën kur procesi gjyqësor kishte hyrë në fazën kur prokuroria ishte në përgatitjen përfundimtare të dhënies së pretencës së saj, për këtë çështje. Pritet që brenda muajit janar 2020, të caktohet një gjyqtar tjetër për këtë çështje, duke bërë që procesi gjyqësor për njohjen ose jo të dënimit me burgim të përjetshëm të Arben Grorit, të fillojë nga e para.

Dënimi italian për Arben Grorin ishte njohur nga gjykata e Tiranës disa vite më parë, por Grori arriti rihapjen e procesit gjyqësor, duke shfrytëzuar hapësirat e Kodit të Procedurës Penale të ndryshuar në 2017 dhe një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjyqtarët e Apelit Tiranë Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari në vendimin e tyre të datës 20 maj 2019 kanë shfrytëzuar pikërisht nenin 450, pika d) të Kodit të Procedurës Penale dhe vendimin e Strasburgut, duke i pranuar kërkesën Arben Grorit, për rishqyrtimin e dosjes gjyqësore që bën fjalë për vrasjen e Naim Zyberit në Itali.

Ky vendim i marrë nga Hajdari dhe Malaj, ka ngjallur shpresat e Grorit për lirim nga qelia, pasi prej më shumë se 18 vite ai qëndron pas hekurave të burgjeve të sigurisë së lartë.

Vendimi i Apelit Tiranë erdhi katër muaj pasi shoku i Grorit, Gert Gjinarari, në 14 shkurt 2019, është liruar me kusht nga gjykata e Korçës.

Ndërkohë pas një vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, sërish Gjinarari u shpall në kërkim.

Vendimi i Apelit Tiranë për Grorin, praktikisht do të thotë lirimin e tij nga qelia. Pasi në rast se gjykata e Tiranës pranon të dënojë Grorin me 25 vite burgim dhe jo me burgim të përjetshëm si ka vendosur drejtësia Italiane, atëherë ai lirohet menjëherë, pasi këtë dënim tashmë e ka kryer. Grori është vëllai i të ndjerit Artur Grori, pronarit të kompleksit “Artur” në Mullet të Tiranës, i vrarë disa vite më parë nga Naim Zyberi.

G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    100 vjet parlamentarizëm, a jeni të kënaqur me nivelin e deputetëve aktual të Kuvendit?

Komento

Komente

  • genti: 13/01/2020 16:52

    eshte gjyna eshte i semure eshte djale shume i urte dhe puntor ate pleren qe e vrau e ka lavderu gjithe shqiperia per ate kurajo se te tjereve qe mbase i ka bere me keq skishin bythe ta shifin ne sy. nuk duhej denohej fare

    Përgjigju