Depo në mes të Tiranës/ Nis ekzaminimi i armëve të sekuestruara, mund të zbardhin krimet ndër vite!

16 Prill 2021, 13:10 | Përditesimi i fundit: 2021-04-16 15:20:53

TIRANE - Shumica e armëve të zbuluara nga policia në bazën e 19-të në Tiranë, rezultojnë të vjedhura në ish-repartet ushtarake të Tufinës në trazirat e viteve ’97. Report Tv mëson se ky rezultat ka ardhur pas ekzaminimit nga Policia Shkencore të armëve të sekuestruara në 19 baza të armëve në Tiranë që grupet kriminale tregtonin mes njëri-tjetrit për t’i përdorur në krime të rënda.

Predhat luftarake e antitankët i janë dorëzuar policisë, ndërsa automatikët, pistoletat, mitrolozët do t’i nënshtrohen ekzaminimit për t’u ballafaquar qitjet e armëve me gëzhojat e sekuestruara në krime pa autorë ndër vite me një shpresë për zbardhjen e tyre.

Në ish- magazinat e ndërmarrjes “Migjeni” në Tiranë në dukje të braktisura u zbulua një nga vendet me armatimin më të madh në Shqipëri që prej vitit 1997, ndodhur vetëm 3.3 kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Report Tv mëson se SPAK i ka dorëzuar Interpol-it mandat arrestin ndërkombëtar për Sokol Xhurën, pronarin e ambjenteve, i cili 2 javë para operacionit është larguar drejt SHBA-ve ku jetonte prej disa vitesh.