Depoziton në Apel kërkesën për heqjen e arrestit me burg. ‘Report Tv’ siguron vendimin që la në burg Drobajn për plagosjen e Nukës

4 Dhjetor 2018, 16:46

Daniel Dobraj, 18-vjeçari i arrestuar për plagosjen me kapsollë të efektives së policisë Ina Nuka në protestën e 22 nëntorit para Parlamentit kërkon lirinë. Bashkë me kërkesën për lirim, Report Tv’, siguron vendimin që la në burg 18-vjeçarin Danjel Drobaj për plagosjen e efektives së policisë, Ina Nuka, ndërsa avokati i Drobajt, Alfred Duka, depoziton në Apel kërkesën për heqien e masës ‘arrest me burg’. 

‘Report Tv’ zbardh edhe vendimin e shkallës së parë që la në burg 18 vjeçarin. Prova më e fortë e prokurorisë janë pamjet filmike, ku Dobraj duket duke hedhur kapsollë.

18- vjecari Danjel Drobaj i arrestuar dhe lënë me masën ‘arrest në burg’ për plagosjen e efektives së ‘Shqiponjave’ Ina Nuka, më 22 nëntor, në protestën e banorëve të “Unazës së Re” para Parlamentit kërkon lirinë nga Gjykata e Apelit.

‘Report Tv’ ka siguruar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila më 26 nëntor la në burg Drobajn, nga ku rezulton se prova e më e fortë e prokurorisë janë pamjet filmike.(lexo këtu).Sipas prokurorisë, rezulton se “Dobraj duket në pamje duke hedhur një send në drejtim të forcave të policisë”. Ky veprim, shprehen prokurorët, sipas orës elektronike të programit është në 00.26. Më tej thonë ata:

“Kur ora shënon 00.29 dëgjohet një tingull dhe zhurmë e njëjtë me atë të shpërthimit, i cili shoqërohet nga zhurma e njëjtë me atë të bërtitjes së një personi. Kur ora elektronike shënon 00.32 dallohet një dritë, si ajo që shoqëron një shpërthim ndjekur nga tymi si dhe brohorima e një personi, i cili ngjan me thirrje paniku”.

Po ashtu sipas hetuesve “rezulton se Danjel Drobaj kryen veprime të dhunshme duke hedhur sende të ngjashme me kapsollat në drejtim të punonjësve të policisë”.

Ndërsa e pyetur nga hetuesit efektivja e plagosur ka treguar dhe momentet e tmerrit ku me reagimin e saj ka hequr kapsollen shpërthyese nga qafa.

“Ndjeva një djegie në pjesën e qafës në anën e djathtë, njëkohësisht dhe një erë tymi dhe menjëherë vendosa dorën e djathtë në pjesën e qafës. Në këtë moment dëgjova një shpërthim dhe dhimbje në pjesën e qafës dhë në dorën e djathë”

E pyetur nëse e ka parë kush e hodhi kapsollen Nuka përgjijet “ Kapsolla erdhi nga përballë në drejtim të Komunitetit Mysliman”.

Në cilësin e provave materiale hetuesit kanë sekuestruar në shenin në hyrje të parlamentit 4 kapsolla të paplasura me ngjyrë të kuqe, 6 kapsolla ngjyrë të kuqe e të zezë të plasura, 12 bidona plastik, 1 kapak stilografi, tabela me mbishkrime, dy shkopinj druri dhe copa perde me mbishkrime.

Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë, ndërsa, prej më shumë se 10 ditësh, efektivja e plagosur Ina Nuka ndodhet në Turqi për një mjekim më të specializuar pasi ajo ka pësuar dëmtime të rënda në dorën e djathë e të majtë të saj.