Depresioni te të moshuarit dhe ngjarja tragjike në Fier / Pjesa e parë

1 Dhjetor 2018, 06:52 | Përditesimi i fundit: 2018-12-03 07:16:17

Emisioni “Repolitix” ka trajtuar temën e depresionit tek të moshuarit e braktisur marrë shkasë nga ngjarja tragjike e ndodhur në qytetin e Beratit, ku Kujtim dhe Këze Agalliu, përkatësisht 78 dhe 70 vjeç u vetëflijuan duke u hedhur nga kati i tetë i pallatit ku banonin. (LEXO KËTU)

Të ftuar në studio ishin deputetja e LSI-së, Nora Malaj; Leonard Solis, ish-ministër i Shëndetësisë; Gëzim Tushi, sociolog dhe Fadil Kepi specialist i pensioneve.

Sociologu Tushi u shpreh gjatë emisonit se problemet sociale të të moshurave në Shqipëri po rriten dita-ditës me plakjen e shoqërisë.

Kostoja e këtyre problemeve do të bëhet më e madhe. Popullsia e Shqipërisë po plaket dhe kjo gjë kërkon politika dhe strategji të reja. Duhet të shtojmë kujdesin ndaj të moshuarve. Nuk i kemi politikat e duhura për t’u kujdesur për ta.

Gëzim Tushi, sociolog

Dy të ftuarit e tjetë, ish-ministri Solis dhe deputetja Nora Malaj u shprehën se nuk do të zgjidhnin që të jetonin me fëmijët e tyre duke u rrëfyer se bota është bërë më individualiste.

Unë jetoj me vjehrrit në shtëpi. Por them që realisht që fillojnë kambanat e frikës. Unë i përkas dy periudhave. Kur u martova kisha vjehrrit dhe gjyshen e burrit. Ata janë të lumtur pasi kanë komunikim. Por mendoj që me kohën që ka ardhur tani prindërit duhet të jetojnë të ndarë. Brezat kanë një ndryshim të madh nga njëri-tjetri.

Nora Malaj, deputete e LSI-së

Ndërsa specialisti i pensioneve, Fadil Kepi ka risjellë problemin e pensioneve, mesatarja e të cilit në vendin tonë është vetëm 8500 lekë te reja për mbi 65000 pensionistë.

Është problem i madh sepse të gjitha qeveritë me radhë qeveritë nuk kanë nxjerrë një minimum jetik. Një problem tjetër është se vetëm rreth 500 lloje ilaçesh janë të rimbursueshme. Të tjerat jo.  

Fadil Kepi, specialist i pensioneve

Çifti Agalliu, që u vetëflijua ditën e sotme, mësohet se në muajin qershor të këtij viti ishin zhvendosur nga fshati Qerreshnik i rrethit të Beratit drejt lagjes “30 Vjetori”, ku fëmijët i kishin blerë një banesë në katin e tetë të një pallati të ri të sapo përfunduar. Burime nga të afërm të çiftit në vendngjarje konfirmojnë se çifti prej kohësh ka deklaruar se do të vetëvritej në qoftë se nuk i kthenin në fshat, por duket se askush nga katër fëmijët nuk e ka menduar seriozisht këtë kërcënim.