Detaje nga vrasja biznesmenit vlonjat për një kalë/ Autori lëvizte i lirë me një emër të rremë, i droguar kur u arrestua

31 Tetor 2019, 16:30 | Përditesimi i fundit: 2019-10-31 16:31:15

DURRËS- Pas të dhënave që efektivë të Policisë së Vlorës kishin marrë në rrugë operative se Eduart Xhezo fshihej edhe me një tjetër identitet në Durrës, e kanë mbajtur atë nën mbikqyrje të rreptë në bashkëpunim edhe me forcat operacionale të Tiranës.

Mësohet se që prej muajit gusht, ai fshihej në zonën e plazhit në Durrës. Burime pranë policisë bënë me dije se 34 vjeçari Eduart Xhezo përdorte edhe dy identitetet të tjera, si Ermal Xhezo apo edhe Ermal Dema.

Në momentin që uniformat blu u vunë në ndjekje të tij për ta prangosur, Xhezo ishte nën efektin e drogës, e ndërsa teksa tentoi t'u largohej me makinën ku udhëtonte, por u neutralizua në kohë nga policia.

Pas kontrollit në mjet, policia gjeti edhe dy karta identiteti me dy emra të ndryshëm, që fillimisht u dyshua se njëra prej tyre ishte e falsifikuar, por që më pas rezultoi të ishin të një shokut të tij.

Eduart Xhelo akuzohet për vrasjen e Arben Beqirajt e ndodhur më 4 gusht të këtij viti në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë, pas sherrit se kali në pronësi të Xhezos kishte kaluar para lokalit të viktimës, Beqirajt.

Eduart Xhezo nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Më herët, ai është dënuar me 9.4 vite burg për një tentativë vrasje të dyfishtë, e ndërsa në 25 janar të këtij viti ai u prangos së bashku me një tjetër person si të dyshuar për tentativë të trafikut të drogës, të një sasie prej rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Arrestimi i tij u bë vetëm dy ditë pas operacionit të zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe policia shqiptare në një zonë bregdetare mes Fierit e Vlorës, ndërsa mbetet e paqartë se si Xhezo është liruar nga qelia.

B.K./Shqiptarja.com