DETAJET e operacionit në Greqi, roli i 6 shqiptarëve në trafikun e 1.2 ton kokaine

26 Janar 2020, 13:54

TIRANË - Pas më shumë se gjashtë muaj hetime, në bashkëpunimin e autoriteteve greke, spanjolle e shqiptare me DEA-n amerikane, u shkatërrua dje në Astakos të Greqisë një prej grupeve të organizuara të trafikut ndërkombëtar të kokainës duke vënë në pranga 8 persona, pjesë e rëndësishme e të cilit 6 ishin shqiptarë me role kryesore në funksionimin e bandës. Në një njoftim të parë për operacionin nga Policia shqiptare e Shtetit, thotë se aksioni është në vijim, dhe se autoritetet shqiptare po punojnë për identifikimin e personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.  Roli i Policisë shqiptare në këtë operacion ka qenë vendimatar në identifikimin e sqiptarëve, pjesë të organizatës kriminale, si dhe të funksioneve e roleve të tyre në grup.

Në operacionin e djeshëm u sekuestruan 1.2 ton kokainë në portin grek perëndimor të Astakos në prefekturën Aitoloakarnania. Zëdhënësi i policisë greke, Theodoros Chronopoulos tha se janë arrestuar 8 anëtarë të dyshuar të bandës ndërkombëtare të trafikut të drogës. Sipas tij, drejtuesit e grupit kriminal, ishin dy rezident të përhershëm në Spanjë (me shtetësi arabe), me disa qytetarë të Shqipërisë në varësi të tyre. Policia ishte në kërkim të nëntë anëtarëve të dyshuar, ende jo nën arrest. Trafikantët po transportonin një sasi të konsiderueshme kokaine nga Karaibet, me destinacion vendet e Evropës dhe Afrikën, veriperëndimore. Sipas zëdhënësit të policisë greke, Theodoros Chronopoulos, droga ishte paketuar në 1.040 qese najloni, gati për t'u shpërndarë ndërmjetëse të rrjetit të trafikut.