Edhe deputetja Eglantina Gjermeni në fjalën e saj para kongresit të socialistëve e vendosi theksin te gjuha agresive në politikë, konkretisht duke dënuar sulmin e Monika Kryemadhit kundër ministres Gjonaj që e cilësoi si 'Halabake rrugësh'. "Rasti i fundit është sulmi që i bëhet ministres së Drejtësisë, të gjitha ndihemi keq. Të gjithë ne, gra dhe burra duhet të jemi kundër këtij modeli të të bërit politikë. Gjuha agresive e politikës projektohet dhe përbën një model negativ për jetën e përditshme. Agresiviteti përçohet në sjellje e qëndrime agresive. Kemi nevojë për një qasje tjetër. Secili prej nesh duhet të kontribuojë për këtë gjë".
Gjermeni u ndal edhe te dhuna dhe vrasjet e grave, ndërsa kishte edhe një kërkesë për kryeministrin Edi Rama. "Ndihem e tronditur nga rastet e fundit kur merren jetët e grave. Dhuna ndaj grave mbetet një shenjë turpi për shoqërinë. Unë them se cfarë po bëjmë ne për ta parandaluar? Kemi ligje të mira, por duhet të bëjmë më shumë për ti zbatuar. Besoj se me nismën e fundit për largimin e dhunuesit nga banesa për përfshirjen në programe rehabilituese, rritjen e dënimit për dhunuesit do të ndikojë më shumë për parandalimin.
Por vetëm ligjet nuk e ndalojnë dot dhunën. Kemi nevojë për shumë ndërgjegjësim. Na duhet të gjithëve të kontribuojmë. Zoti Kryeministër u kërkoj që kjo cështje të shikohet si prioritare nga institucionet. Të gjithë duhet të kemi një mision të përbashkët. Duhet të jemi bashkë, parlamenti, qeveria, shoqëria, media dhe sektori privat. Në fund dua të falenderoj të gjithë kolegët burra për mbështetjen dhe në mënyrë të veçantë Ramën për besimin ndaj grave, të sektorëve kyçë" tha ajo.