Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është bërë njësh me presidentin Meta (bashkëshortin e saj) duke sulmuar ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj me një fjalor seksist dhe aspak etik për një drejtuese partie që flet para popullit dhe elektoratit të saj. Epitetet e përdorura si 'ministrja bukuroshe' apo 'halabake rrugës' nga Kryemadhi për ministren Gjonaj, u shtuan gjatë akuzave që hodhi se ajo ka falsifikuar të drejtën kushtetuese të presidentit. Gjatë një takimi me strukturat e partisë në Shkodër, Kryemadhi ka sulmuar ashpër ministren e drejtësisë duke thënë se 'ajo heq shenjat e gishtërinjve të trafikantëve dhe i zëvendëson ato me të njerëzve të thjeshtë', ndërsa shtoi se kur arrin të falsifikojë protokollet e shtetit, ajo mund të bëjë ç'të dojë me fatin dhe jetën e shqiptarëve.

'Një ministreshë që ka vjedhur protokollin dhe e ka falsifikuar atë, ashtu ka arritur të vjedhë dhe pronat e shqiptarëve. Një halabake rrugësh që merr guximin për të falsifikuar protokollin e shtetit, mos u çudisni që kjo dhe bandat e saj kanë vjedhur pronat e shqiptarëve. Ajo u heq shenjat e gishtërinjve trafikantëve të drogës dhe vendos ato të shqiptarëve të thjeshtë. Kjo halabake kur arrin të falsifikojë të drejtën kushtuese të presidentit mund të presësh shumë dhe se çfarë mund të bëjë ajo me jetën tona dhe fatin e shqiptarëve', tha Kryemadhi.

Në lidhje me protestën e 2 marsit thirrur nga Meta kundër 'grushtit të shtetit' siç e cilëson ai, Kryemadhi tha se do të jetë atje si qytetare, jo se është me ilir Metën, por se vendi ka rënë në koma me paligjshmërinë dhe krimin që ka kapur çdo cep të vendit.

'Më 2 mars unë do të marrë pjesë si qytetare jo se jam me Ilir Meten, se ai me tolerancën e tij dhe besimin që pati në PS nuk u tregua i vëmendshëm për të mos lejuar këtë kapje të gjithë sistemit.  Unë do jem aty si një qytetare, si një nënë dhe si një bashkëshorte që do t jetojë e qetë me familjen e saj. 2 marsi do ta shikoj si një pjesëmarrje të thjeshte kundër të gjithë atyre rilandasve pervers që kanë pushtuar shkollat dhe dhunojnë vajzat tona, do marrë pjesë si një pensionist, si çdo studentë, si çdo i papunë', tha Kryemadhi.

Më 2 mars presidenti i vendit Ilir Meta ka vendosur të lërë zyrën e  tij dhe të shkojë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' ku ka thirrur një tubim qytetarë për të lidhur atë që ai e cilëson 'besëlidhje' kundër 'grushtit të shtetit'. Duke e cilësuar vetën 'Shqiponjë', Meta tha se do luftojë kundër gjithë 'sorrave' që kërkojnë të kapin kushtetutën dhe se 'do e kthejë Shqipërinë  kuqezi dhe jo më mavi apo mavri'.