Dhunohen mjeku në Lezhë dhe specializantja në Tiranë, dorëzohet njëri nga autorët: E godita se ishte i dehur

7 Mars 2019, 14:07 | Përditesimi i fundit: 2019-03-07 22:12:39

Dy mjekë u dhunuan ditën e sotme ndërsa ndodheshin në detyrë. Zef Doda, u sulmua në ambientet e Spitalit të Lezhës, ku u qëllua me sende të forta nga njëri prej familjarëve të një pacienti. Mjeku ka marrë dëmtime serioze, dhe është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.  Disa orë pas ngjarjes, autori, i cili është 24-vjeçari Eduard Lleshi është dorëzuar në policinë e Lezhës. Ai është shprehur se me mjekun debatoi dhe e qëlloi, pasi nuk po i shërbente dhe se ishte i dehur. "Debatova me të dhe e kam qëlluar me grushte. Nuk po më shërbente, ishte në gjendje të dehur" ka thënë ai.

Ndërkohë në Tiranë, mesditën e sotme në Tiranë, u dhunua mjekja specializante me inicialet V.Z në klinikën e parë të kirurgjisë në QSUT. Specializantja është dhunuar nga një person i dehur, i afërt i një pacienteje, që po merrte shërbim mjekësor. I dehuri më pas është konfliktuar edhe me forcat e rendit, të cilat ushtrojnë detyrën në shërbimin e Urgjencës. 

Ministria e Shëndetësisë reagoi duke dënuar dhunën ndaj mjekëve dhe duke i kërkuar autoriteteve të drejtësisë të japim dënim maksimal ndaj agresorëve. Ministria thotë se ka propozuar ndryshime në Kodin Penal që goditja ndaj bluzave të bardha të konsiderohet vepër penale.

Nuk është hera e parë që pacientë, apo familjarë të tyre ngrënë dorën ndaj bluzave të bardha. Së fundi, në Durrës, një mjek u dhunua nga një pacient i dehur, ku u qëllua me tullë në fytyrë duke pësuar dëmtime serioze. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu ka nxjerrë një udhëzim preçiz të ndalimit të familjarëve në Urgjencë ndërsa është caktuar një orar fiks për vizitat tek të sëmurët. Ligji ka qenë edhe më herët, pasi nuk lejoheshin vizitat në çdo orar, por përkundër ryshfetit ndaj rojeve të sigurisë, familjarët e pacientëve nuk njihnin orar!

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke e denoncuar këtë akt, kërkon nga organet e drejtësisë të reagojnë menjëherë me dënimin e merituar për agresorët e mjekut dhe kërkon sensibilizimin dhe mbështetjen e shoqërisë për bluzat e bardha në krye të detyrës, në shërbim të popullatës.

Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në kodin penal për të vendosur ekskluzivisht goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës si vepër penale, paralelisht me vendosjen e një regjimi të ri në spitale, për disiplinimin e vizitave të familjarëve dhe riorganizimin e sigurisë në spitale.

Duke dënuar me forcë dhunimin e mjekëve, kërkojmë nga opinioni publik të mbështesë bluzat e bardha në kryerjen e detyrës. Personeli shëndetësor është në shërbim të qytetarëve ditë dhe natë, për të ofruar dhe garantuar në kohë dhe me cilësi shërbimet shëndetësore.

Kujdesi shëndetësor që duam duhet të ketë në themel frymën e besimit, ofrimin e kujdesit të pakushtëzuar, pavarësisht statusit social të atij që ka nevojë, por njëherësh, edhe respektin ndaj figurës së mjekut dhe infermierit. Ne do të punojmë fort, por na duhet ndihma e gjithsecilit prej jush, për t’a rikthyer këtë raport, të thyer keqazi ndër vite.

 

Edhe QSUT dënon dhunën ndaj mjekëve
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekes specializante të Klinikës së parë të Kirurgjisë V. Z, gjatë ushtrimit të detyrës në Urgjencën Kirurgjikale.

Një person i dehur, i papërgjegjshëm, i afërm i një pacienteje e cila po merrte shërbim mjekësor, ka dhunuar mjeken dhe më pas është konfliktuar edhe me forcat e rendit, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në shërbimin e Urgjencës Kirurgjikale.

Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës.

Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar ditën e djeshme ndaj personelit mjekësor dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autorët të marrin dënimin e merituar.

Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.

G.M./d.ba.