Digjen tre makina në Korçë, dy të autorit të plagosjes në 2017 për prishjen e pazareve të drogës

21 Prill 2020, 14:46 | Përditesimi i fundit: 2020-04-21 14:47:55

KORÇË-Tre makina janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Korçës, ku fatmirësisht ka vetëm dëme materiale. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40 në lagjen nr. 17 në garazhin në pronësi të një qytetari me emrin Ilir Mete. Një nga automjetet që u dogj ishte në pronësi të Metes, ndërsa dy të tjerat të një tjetër qytetari, Mehmet Dadushit. 

Por kush është ai? Mehmet Dadushi në vitin 2017 u shpall në kërkim së bashku me një tjetër person për plagosjen me armë zjarri të Mina Zoja në 19 dhjetor të vitit 2017. Mina Zoja sipas hetimeve të para tre viteve rezultoi të ishte dënuar në Shqipëri dhe Gjermani për trafik droge, ndërsa ngjarja u dyshua se kishte lidhje pikërisht me prishjen e pazareve të drogës.Ndërkohë që pista e parë e hetimit nga organet në Korçë është pikërisht fakti se objektiv i zjarrit të qëllimshëm kanë qenë makinat e Mehmet Dadushit nisur nga precedentët.