Dita e 14-të/ Vijon protesta e studentëve para Kryeministrisë, militanti ndez tymuese

17 Dhjetor 2018, 13:37

TIRANE-Prej orës 10:00 të ditës së sotme studentët të mbështetur edhe nga militantët e PD-së dhe LSI-së kanë rinisur protestën përpara Kryeministrisë, pasi qeveria nuk pranon të plotësojë tetë kërkesat e tyre pa dialoguar më parë. Kjo është dita e 14-të e protestës. 

Grumbullimi i studentëve nisi në orën 09:30 në fakultetet përkatëse, ku vendosën shirita në hyrjet e godinave, ndërsa te 'Ekonomiku' i vendosën drynin më pas nisi marshimi në këmbë drejt Kryeministrisë. Refreni ishte i njëjtë: "Plotësoni 8 kërkesat"! "Nuk duam dialog"!

Militantët e opozitës u janë përgjigjur thirrjeve të liderit të PD, Lulzim Basha (lexo këtu) dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi (lexo këtu) për pjesëmarrjen sot në protestë. Mes militantëve është edhe Gentian Gjonaj, i cili hodhi disa tymuese para Kryeministrisë. Kryeministri Rama reagoi duke deklaruar se opozita e gjymtoi protestën, ndërsa ftoi sërish studentët për dialog. 

Në protestën sotme ndodhen në gatishmëri rreth 500 efektivë policie, pasi i tremben ndonjë konflikti të mundshëm mes protestuesve, pasi ditën e sotme studentëve u janë bashkuar edhe militantët e PD dhe LSI pas thirrjeve nga liderët.