Djali i Remzi Hoxhës: I implikuari në vrasjen e tij nuk është gjallë, bisedat me Ramën e Tahirin

21 Tetor 2019, 12:11 | Përditesimi i fundit: 2019-10-21 15:26:12

Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur para 24 vitesh nga SHIK-u deklaroi sot se një nga dëshmitarët kryesorë, Budjon Meçe nuk është më gjallë. I zhgënjyer me qeverinë socialiste dhe kryeministrin Rama, pasi sipas tij nuk bënë asgjë për zbardhjen e vrasjes dhe gjetjen e Budjon Meçes, Ardian Hoxha thotë se ka informacion se ish-punonjësi i SHIK-ut nuk është më gjallë.

"Mandati i dytë i qeverisë Rama dhe asnjë nga këta persona që ishin marrë me cështjen e babait tim nuk e kanë ngritur zërin. Kemi bërë tentativa për të takuar edhe kryeministrin Rama, vetë e kam takuar dy herë.

Fillimisht na u tha se duhej kohë sa të forconte pozicionin e tij, më pas në 2015 e takova prapë dhe i ofrova edhe një zgjidhje si ta zgjidhte më lehtë duke e kapur Budjon Meçen, pasi gjendej në Shqipëri. Më orientoi te Saimir Tahiri, që ishte atëkohë ministër i Brendshëm. Ai më tha t'ia cojë të gjitha infot që të merrej me rastin. Kam përgatitur edhe korrespodencën me e-mail me Tahirin.

Budjon Mece ka qenë i implikuar. Përgjigja e Tahirit ishte se do ia kalonte policisë, por nuk është bërë asgjë. Tani kam informacion që Budjon Meçe nuk është i gjallë më. Kjo është shumë zhgënjyese, pasi kishim shpresa të mëdha se do të na ndihmonin për të gjetur eshtrat. Edhe kjo qeveri nuk ka qenë e interesuar për të zbardhur vrasjen. Për të rritur presionin, ne kemi filluar të bëjmë edhe dokumentarë për figurën e babait tim, njëri narrativ dhe tjetri do të jetë dokumentar artistik" tha ai.

Ardian Hoxha akuzon si vrasës të babait të tij Ilir Kumbaron dhe Budjon Meçen. "Personat e implikuar nga më i larti janë; Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashit" shprehej pak kohë më parë për Report Tv, djali i biznesmenit.

Ish-punonjësi i SHIK-ut Budjon Meçe u dënua bashkë me Ilir Kumbaron por në momentin e fundit në gjyq mbërriti një “raport mjekësor” sipas të cilit Budjon Mece ishte “në gjendje koma në një spital privat” në Tiranë. Vendimi për të nuk u aktivizua, ndërkohë që Hoxha tha sot se nuk është më gjallë.