Djali i Remzi Hoxhës: Babai im
u vra me urdhër të Sali Berishës

Djali i Remzi Hoxhës: Babai im<br />u vra me urdhër të Sali Berishës
​"Zhdukja dhe vrasja e babait tim është bërë me urdhër të Sali Berishës, në bashkëpunim me njerëzit e tij më të afërt". Kështu shprehet gjatë një lidhje telefonike për Report Tv, Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptar nga Shkupi, Remzi Hoxha, i cili prej 21 vitesh rezulton i zhdukur, pasi u rrëmbye nga SHIK-u.

Për këtë krim familjarët akuzojnë si të implikuar ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues, ndërsa ish-SHIK-sat Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini si zbatues.

Ardian Hoxha thotë se Berisha gënjen kur thotë se nuk ka dijeni për fatin e Remzi Hoxhës. Ai deklaron gjithashtu se ish-punonjësit e SHIK-ut, Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini shantazhojnë ish-kryeministrin Berisha lidhur me zhdukjen e babait tij. Ai thotë se Kumbaro i shpëtoi drejtësisë angleze fale ndihmës së Berishës. 

-Një grup ekspertësh të OKB po zhvillojnë një vizitë gjashtëditore në Tiranë, për shqyrtimin e masave që ka marrë Shqipëria për gjetjen e personave të zhdukur me forcë... 
Unë ka dëgjuar për këtë vetëm nga mediat dhe jo nga burimet e shtetit. Ne jemi në pritje nëse do na flasë dikush nga shteti shqiptar për këtë.
 
-Ardian, në çfarë fazë janë hetimet për zhdukjen e babit tuaj, Remzi Hoxha?

Ne si familje kemi luftuar 17 vite që të vërtetojmë që ishte SHIK-u i Sali Berishës ai që kishte zhdukur dhe mbytur babin tim. Në një prononcim të Sali Berishës, të para dy ditëve, thotë që nuk ka dijeni për të, por në fakt kjo është bërë me urdhra të tij dhe në bashkëpunim me njerëzit e tij më të afërt, të cilët edhe i ka mbrojtur ndër vite, me gjithë sistemin e drejtësisë të kontrolluar nga Berisha. Kemi arritur që ta vërtetojmë që, po ata njerëz që patën dyshimin që nga dita e parë, e zhdukën dhe e vranë babin tim, duke i fshehur edhe shtrat. Personat e implikuar nga më i larti janë; Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashit. Pas 17 vitesh, edhe nga Prokuroria e Sali Berishës del që faji i mbetet vetëm Ilir Kumbaros, për shkak se atij i ka mbetur në dorë, por më shumë është shkaku se, Kumbaro ishte i arratisur dhe ishte i mbrojtur po ashtu nga avokatët e Sali Berishës. Kur thotë ky që u lanë të pafajshëm, në fakt, në vitin 2003, u burgosën këta persona dhe Sali Berisha i amnistoi. Ata u liruan nga burgu, bilës u dëmshpërblyen. Morën edhe para nga shteti, nga populli. Tani u vërtetua që, SHIK-u i Berishës e ka bërë, faji i ka mbetur Ilir Kumbaros, i cili është i dënuar me 15 vite burgim dhe është në arrati. Është i kërkuar. Edhe në Interpol të Shqipërisë, me siguri ka njerëz të Sali Berishës, pasi nuk i çojnë gjërat përpara. Unë besoj që shteti shqiptar ka mundësi që ta gjejë dhe të na tregojë ku janë eshtrat. Berisha është pyetur në baza ditore për eshtrat e babit tim, por ai thotë që nuk ka dëgjuar ndonjëherë për Remzi Hoxhën dhe se për herë të parë ka dëgjuar prej Adem Demaçit. Berisha po gënjen. Tani bëhen 21 vite që po gënjen. Përgjegjës kryesor për zhdukjen e babait tim dhe për mungesën e eshtrave është Sali Berisha.
 
-Si ka ecur hetimi tani që e majta është në pushtet?

Ne kishim një shpresë shumë të madhe kur fitoi PS-ja, jo se e simpatizojmë PS, por të paktën nuk është grupi që janë të implikuar në zhdukjen e babait tim. Tani është vërtetuar me gjyq që krimin e kanë bërë Sali Berisha me njerëzit e tij. U gëzuam pa masë dhe që nga dita e parë kërkuam takim me kryeministrin Rama. Takimi i parë u bë pas 4 muajsh pasi u zgjodh kryeministër. Ai na tha që deri në vitin 2017, deri në momentin që ta ketë presidentin PD, që i bie që ta kontrollojë drejtësinë, do të jetë më e vështirë. Ne, në përpjekjet që kemi bërë, e kemi pasur shumë të vështirë. Jemi refuzuar çdo herë sepse njerëzit e Sali Berishës kanë qenë në çdo institucion. Më pas, me kalimin e viteve, kjo shpresë u zbeh sepse e shohim që shumë pak ka lëvizje në këtë rast. Ne u munduam shumë para një viti që ta ngremë çështjen e babit tim në axhendë të shtetit shqiptar, por për fat të keq u përmend nja një javë dhe u mbyll me aq. Edhe kjo strukturë nuk tregoni ndonjë interesim. Nga gjykimi, fillimisht ka qenë i implikuar edhe Budjon Meçe, i cili ka qenë vartës i Ilir Kumbaros dhe që bashkë me Kumbaron, këtyre të dyve u ka mbetur në dorë babi im. Gjatë gjykimin sajojnë që Budjon Meçe gjendet në gjendje komë në një spital privat dhe se nuk mund të shihet nga askush. Si rrjedhojë, Budjon Meçe del nga procesi i akuzës. Tashmë ai person është i lirë dhe nuk merret shteti me atë. I bëj thirrje publike shtetit që të merret me Budjon Meçen, pasi edhe ky person është i implikuar dhe ka shumë dëshmi. Me të vërtetë shpresat janë shumë të vogla, por shpresoj që me vullnet të shtetit ta zgjidhë këtë çështje. Rruga e vetme e jona është të merremi me institucione të nivelit europian. Këtë rrugë jemi duke e ndjekur. Për këtë rrugë jemi duke u përgatitur.
 
-Kush e pengoi procesin e ekstradimit?

Gjatë procesit të ekstradimit, njerëzit që ishin në organet e Shqipërisë e bllokonin procesin. Herë dërgonin një dokument mangët, herë një tjetër, e bënin punën që të zvarritej. Edhe për këtë duhet të ketë një proces penal.
 
-Kush mendoni se janë njerëzit që e kanë ndihmuar Ilir Kumbaron për t’u arratisur nga Anglia?

Janë njerëzit e Berishës. Avokatët që e mbronin për arratisje, ishin po të njëjtit avokatë që mbronin atë. Unë jam i bindur se Sali Berisha e di me saktësi se ku fshihet Ilir Kumbaro. Sepse këta e shantazhojnë njëri-tjetrin. Edhe Bashkim Gazideden e bëri drejtor, edhe Arben Sefgjinin drejtor të Tatimeve. Këta njerëz ishin duke u hetuar për rastin e babait tim, ndërsa Berisha i emëroi në poste. Edhe Berisha është shantazhuar nga këta persona. Edhe nga Arben Sefgjini. Edhe nga Ilir Kumbaro. Këta presin që secili prej tyre të vdesë që të mos dalin informacione për babanë tim.
 
-A mendoni se do të vendoset ndonjëherë drejtësi për këtë çështje?
 
Mendoj se drejtësia vonon, por nuk harron. Do dali drejtësi një ditë. Ne jemi munduar me vite që ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë njerëzore dhe ligjore. E shohim që pa ndikim ndërkombëtar në Shqipëri nuk bëhet asgjë. Ne do e ngremë rastin tonë në nivel të strukturave evropiane. Evropa t’i kërkojë Shqipërisë që ta zgjidhë këtë çështje. Unë jam i bindur që do vijë dita që të gjejmë eshtrat e babit tim. Dhe atij do t’ia bëjmë një varr ashtu siç e meriton. 

Redaksia Online
xh.k-l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi