Shkarkohet nga detyra kreu i bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila pas sulmeve të dhunshme të ndodhura në mbrëmjen e djeshme në KZAZ nr. 6 në Bushat.
Kryeministri Edi Rama ka bërë publik vendimin e marrë ditën e sotme, sipas të cilit Hila jo vetëm do shkarkohet por edhe do të ndiqet penalisht. Rama paralajmëron se kush do që do ndjekë shembullin e tij do të ketë të njëjtin fat dhe të vihet përpara drejtësisë.
"Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë", shkruan Rama.Më herët, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka propozuar shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila, pas sulmeve të dhunshme të ndodhura mbrëmjen e djeshme në KZAZ nr 6 në Bushat ku u dogjën materialet zgjedhore dhe mbetën të plagosur tre efektivë policie. Vetë Hila tha për Report Tv se nuk ka asnjë lidhje me organizimin e protestës së djeshme.