Djegia e lëndëve toksike në ish-godinën e trikotazhit në Korçë, ekspertë nga Tirana eliminojnë 2 vatra të rrezikshme

21 Shkurt 2021, 12:03 | Përditesimi i fundit: 2021-02-21 12:18:58

Gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit ekspertët nga Tirana eliminuan vatrat aktive toksike në lagjen nr. 9 në Korçë aty ku u dyshua për mbetje të rrezikshme në godinën e ish-trikotazhit. Në të njëjtën kohë  është bërë dhe matja e ndotjes së zonës e cila rezulton negative. Gjatë ditës së djeshme pati një zjarr dhe më pas tym vuri në alarm banorët, të cilët lajmëruan policinë.

Edhe pse policia rrethoi zonën gjatë gjithë ditës, është dashur ndërhyrja e ekspertëve nga Tirana për të bërë të mundur eliminimin e vatrave toksike që çlironin në ajër gazra dhe helm që rrezikon shëndetin e  banorëve. Pas eliminimit të vatrave, ekspertet matën nivelin e ndotjes së zonës duke dalë në konkluzionin se nuk rrezikohej shëndeti i banorëve.

Ekspertët kanë marrë mostrat dhe janë dërguar në laborator në Tiranë për të nxjerre llojin e lëndës. Puna ka zgjatur deri në 4 të mëngjesit ku një grup prej 12 ekspertesh kimie të Forcave të Armatosura, të pajisur me pajisje të posaçme për të përcaktuar nivelin e ndotjes në vatër ku bëhej djegia dhe jashtë godinës.

Pas përfundimit të punës ekspertët eliminuan vatrat aktive që nuk kanë më rrezik përhapje. Në ditët në vijim do të merren masa për largimin e këtyre lëndëve nga ish godina e trikotazhit në Korçë.

Alarmi u dha fillimisht nga 10 familje që banojnë afër ish godinës së trikotazhit në Korçë, e cila ka dalë jashtë funksionin që prej 1990. Banorët denoncuan në media se kjo situatë e aktivizimit të vatrave të zjarrit në këtë godinë ishte e përsëritur, por kjo nuk do të ndodh më me ndërhyrjen e ekspertëve nga Tirana.