Dorëheqje pas grabitjes? Lleshaj: E vendos vetë! Ushtria garanton sigurinë, reagon Gjoni

11 Prill 2019, 14:15

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi në Kuvend se ajo që ndodhi në Rinas ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës. Akuzave të opozitës për dërgimin e ushtrisë në Rinas për të garantuar sigurinë, Lleshaj iu përgjigj duke thënë se nuk cënohet ligji, pasi Forcat e Armatosura e kanë mision sigurinë kombëtare. Deputeti Ralf Gjoni i kërkoi dorëheqjen nëse nuk kapen autorët dhe të gjenden 10 milionë eurot, por ai u shpreh "gjykimi për të është thjesht personal i imi dhe lidhet me dinjitetin tim personal, momenti se kur unë do ta marr atë vendim".

Fjala e plotë e ministrit Sandër Lleshaj
Zoti Gjonaj ju falënderoj për konsideratën në nivelin personal dhe dua t’ua kthej me të njëjtin nivel konsideratën, në nivelin personal. Sigurisht që përpiqem të mirëkuptoj alertin tuaj, të cilin megjithatë e konsideroj se  e keni pak të tepruar. Mu duk pak emocional, por megjithatë keni të drejtë të jeni emocional sepse ajo ngjarje për të cilën ju referoheni na prek të gjithëve.

Sigurisht, ajo nuk ishte ngjarja  e parë, ishte seria e pestë e një seriali që ka nisur prej kohësh, në të cilën ka shumë aktorë dhe autorë. Ajo që ndodhi pardje,  ajo  e veçanta në raport me seritë  e mëparshme të këtij seriali është që forcat e sigurisë kanë reaguar, kanë reaguar fort dhe kanë dhënë një goditje që nuk është dhënë prej shumë e shumë kohësh ndaj bandave kriminale që kanë tentuar të cënojnë një aset të rëndësishëm të infrastrukturës kritike të vendit, po deshe edhe të sigurisë kombëtare.

Sigurisht që kushdo mund ta ketë të drejtën që t’i japë udhë të lirë imagjinatës dhe të thotë se çfarë mund të kishte ndodhur nëse do të bëhej kjo, apo ajo, por unë them që futja në këtë rrugën e imagjinatës se çfarë mund të kishte ndodhur, nuk na çon asgjëkundi, sepse gjëra të tilla mund të ndodhin edhe kudo.  Nuk është kjo arsyeja për ta dramatizuar se çfarë mund të kishte ndodhur nëse ne do të merremi me atë çfarë ka ndodhur, por ajo që ka ndodhur është mjaftueshmërisht  e rëndë.