Vijon seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi nisi me betimin e tre opozitarëve të rinj duke e dërguar numrin e deputetëve në 102. Në rendin e ditës janë disa cështje mes tyre, raporti për vitin 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit u shpreh se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat dhe tani fati për hapjen e negociatave është në dorën e vendeve anëtarë, një pjesë e të cilave kanë një debat të brendshëm për shkak të forcave anti zgjerim duke sjellë rastin e Francës.
E ndërsa kryeministri Rama u largua nga seanca pas fjalës, debati u zhvendos te grabitja në aeroportin e Rinasit. Deputeti opozitar Ralf Gjoni i kërkoi Presidentit që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa i bëri thirrje ministrit Lleshaj që nëse për 2-3 javë nuk kapen autorët dhe të gjenden lekët të japë dorëheqjen, teksa javën e ardhshme njoftoi se do ta thërrasin në interpelancë.
Lleshaj tha se ngjarje të tilla ndodhin në cdo vend, ndërsa në rastin konkret policia reagoi në mënyrë të paparë. Sandër Lleshaj u përball edhe me kërkesën e opozitarëve të rinj për dorëheqje, por nuk u dorëzua, duke thënë se tashmë aeroporti është plotësisht i sigurt. Taulant Balla tha në parlament se policia ka plagosur dhe një nga grabitësit e tjerë në Rinas.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përgëzuar nga foltorja e parlamentit Policinë e Shtetit për reagimin pas grabitjes së ndodhur në aeroportin e Rinasit. “Sot Kuvendi është në ditën dhe kohën për të nxitur Policinë e Shtetit që të godasë me forcë çdo akt kriminal, sikurse ka reaguar dy ditë më parë”, tha Balla.
Sipas Ballës sot Parlamenti diskuton për aspiratën historike të shqiptarëve, atë të anëtarësimit në BE. “Vendimmarrja e qershorit nuk varte më se çfarë duhet të bëjë Shqipëria deri në qershor, pavarsisht detyrave tona të shtëpisë, por varet nga konktekstet politike brenda çdo vendi të BE si dhe në kontekstin e ri që do të krijohet brenda PE pas zgjedhjeve. Brenda PE kur u votua rezoluta për Shqipërinë që bënte thirrje për hapjen e negociatave kemi marrë plot 459 vota eurodeputetësh përkundrejt 200 kundra pro hapjes”, shtoi Balla.
Gjatë fjalës së tij, Balla foli dhe për rezultatet e vizitës së tij dhe kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi në Austri, ku tha se ka marrë supermbështetje nga të gjitha vendet anëtare të BE për çeljen e negociatave. “Jam shumë i bindur se Progresistët socialistë, demokratë, partitë popullore evropiane ku bën pjesë dhe PD mbështet hapur procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit perëndimor dhe në mënyrë të veçantë hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk është e vërtetë që BE dhe PE bën ndarje mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Shqipëria në të 5 prioritetet renditet shumë herë më mirë se Maqedonia e Veriut”, deklaroi Balla.
Balla i bëri thirrje deputetëve të rinj të opozitës që në javët në vijim të miratojmë edhe tre ligjet e mbetura me qellim që Ditën e Europës ta festojmë me përmbylljen e gjithë paketës së ligjeve. “Ne jemi të hapur për çdo diskutim, për zgjerim të objektit të komisionit, patjetër, por duhet të mbetemi tek prioriteti. Të përmbyllim rekomandimet e OSBE/ODHIR”, përfundoi Balla. Më herët ishte Ralf Gjoni që kërkoi një tryezë të gjerë për reformën zgjedhore dhe Balla u përgjigj duke thënë se jemi të hapur.
Deputetja demokrate Rudina Hajdari ka qenë e ashpër me qeverinë duke e kritikuar për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave. “Faktet nuk gënjejnë, ka ardhur koha të themi të vërtetën, që shqiptarët po përballen me një krizë të thellë institucionale. A janë të vërteta ato që thuhen në raportin e ministrave? Vitin e kaluar BE dha një deklaratë dhe na paraqiti detyrë kryesore rishqyrtimin për çeljen e negociatave. A jemi sot më mirë se një vit më parë. A është përmbushur kjo ëndërr?
Raporti tregon ndryshe, raporti i ministrave thotë se kemi rezultate të jashtëzakonshme, sa është e vërtetë kjo? Mendimi im është që jo. Sepse Këshilli i BE, tha se Shqipëria ka 5 probleme kryesore, sikundër iu tha Maqedonisë,të cilët i kanë shanset me të larta se ne. Këto 5 kushtet duhet të kishin arritje gjatë këtij viti. Kemi zero rezultat kundër luftës së korrupsionit. Paaftësia ndaj krimit të organizuar tregon qartë se nuk kemi vullnet në përparimin në këtë pjesë. Rasti më flagrant është ai i Klement Balilit, i cili trajtohet si i preferuar i gjykatës së Tiranës. Të kalojmë edhe te reforma në drejtësi. Edhe pse është cilësuar si një arritje e madhe, nuk ka pasur asgjë të prekshme për qytetarët shqiptarë deri më sot”deklaroi ajo.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi në Kuvend se ajo që ndodhi në Rinas ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës. Akuzave të opozitës për dërgimin e ushtrisë në Rinas për të garantuar sigurinë, Lleshaj iu përgjigj duke thënë se nuk cënohet ligji, pasi Forcat e Armatosura e kanë mision sigurinë kombëtare.
"Gjëra të tilla mund të ndodhin kudo. Ajo që ka ndodhur është e rëndë. Ne kemi marrë masa të forta të plota për të zhbërë një histori turpi që është transferuar para 20 viteve në duart e një privati. Transferuam sovranitet në duart e një koncesionari privat. Nëse shikoni do të gjeni edhe emra të njohur që kanë kontribuuar në këtë situatë. Po është një cënim i sigurisë kombëtare dhe jo rrëzim. Aktorë dhe përgjegjës ndër vite për këtë situatë shqetësohen pse ndërhyri ushtrinë në aeroport. FA e ka në mision kushtetues sigurinë kombëtare. Nëse konstatojmë se është cënuar apo kërcënuar, FA ka detyrë që të japë kontributin e tyre. Ajo nuk kanë hyrë si forca të armatosura, por në mbështetje të policisë.
Porta e Rinasit u cënua në kuadrin e disa sekondave. Nuk është turp kombëtar por incident, mos harroni 11 shtatorin se cfarë ndodhi, apo goditje terroriste, por asnjë komb nuk cohet të shpallë gjendje të pa shpresë. Nuk ka asgjë për t'u alarmuar. Policia reagoi në kohë rekord dhe në mënyrë të paparë. Policia u sulmua me granata dhe nuk u tërhoq, nuk rrëzohet siguria nga një incident. Ky grup kriminal është arratisur nga burgu i një vendi anëtar të BE-së, por nuk u shpall turp kombëtar atje. Meqë më përmende dorëheqjen, nuk kam luftuar asnjë ditë për ta pasur këtë post, nuk kam asnjë brengë për ta lenë, faleminderit për rekomandimin por atë e gjykoj unë me dinjitetin personal" tha Lleshaj. (Fjala e plote)
Në pjesën e dytë të fjalimit të tij në Kuvend, Ralf Gjoni foli për grabitjen në Rinas duke i kërkuar Presidentit Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ai tha se u cënua siguria dhe nëse nuk gjendet autorët dhe 10 mln eurot, ministri duhet të japë dorëheqjen. "Këtu nuk sundon ligji por rrumpalla, më ka pëlqyer kjo shprehje e Ramës, që e ka thënë dikur. Ne jemi republikë rrumpalle. Nuk ka shanse që në një republikë normale që grabitëist të futen me furgon në aeroport.
Cfarë diskutimi mund të kemi ne për votën kur në mes të ditës vidhen 10 mln euro në mes të ditës. Sot territori i Shqipërisë është në kaos. Zoti Lleshaj unë në vendin tuaj nëse fajtorët e këtij krimi nuk identifikohen dhe konfiskohen paratë unë do të kisha dhënë dorëheqjen, jo sot por brenda 2-3 javëve. U kërkoj kolegëve të opozitës dhe të kërkojmë interpelancë me ministrin e Brendshëm që të japë llogari për rendin publik. Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Hyn tjetri me armë atje, mund të vriste apo të merrte peng avionin.
Nuk i kam kërkuar dorëheqjen sot prandaj kërkoj interpelancë javën që vjen dhe nëse nuk gjenden autorët do të ishte në dinjitetin tuaj të jepni dorëheqje. Nuk flasim për imagjinatë, por detyrim që të merren në konsideratë të gjitha skenarët e mundshme të cënimit të sigurisë së jetës së qytetarëve dhe kombëtare.
Pse i bini nga Kina? Dakord kompania kineze kishte përgjegjësi për sigurinë brenda aeroportit, po jashtë nuk i takon institucioneve shqiptare që të përgjojë, interceptojë të marrë masa për ruajtjen e sigurisë dhe për goditjen e krimit të organizuar?" tha Ralf Gjoni.
Deputeti opozitar nga listat e LSI-së Ralf Gjoni kërkoi nga kolegët e tij në shumicë dhe opozitë që të miratojnë një rezolutë që u kërkon vendeve anëtarë të BE-së që të miratojnë hapjen e negociatave, ndërsa propozoi një tryezë të gjerë për reformën zgjedhore.
"Kryeministri mbajti një fjalim monolog dhe u largua nga salla. Kryeministri nuk gjendet këtu që të dëgjojë edhe mendimet e opozitës. Duhet ndarë hapja e negociatave nga kushtet që na janë vendosur. Hapja e negociatave është proces teknik që do të rrisë skanimin e të gjitha fushave nga Brukseli nga ekonomia te siguria. Të gjithë duhet të biem dakord, hapja e bisedimeve duhet të bëhet në qershor. Është dhënë një premtim nga vendet anëtare dhe mendoj se nuk duhet të ketë më asnjë lloj vonese. Do të doja t'u propozoja që në vijim të votojmë një rezolutë unanime që t'u bëjmë thirrje të gjitha parlamenetare të vendeve anëtare për hapjen e negociatave, Shqipëria e meriton.
Shqiptarët janë populli më pro europian në rajon sot. Na shitet nga qeveria, që e përmendi edhe kryeministri që komisioni i reformës zgjedhore paska të bëjë me rekomandimet e OSBE-së, nuk është e vërtetë. Dakord ta zbatojmë, por komisioni që u fut në mënyrë klandestine me një bashkëkryetar vëzhgues me të drejtë vetoje, nuk funksion kështu. Duhet të hapet debati për reformën zgjedhore duke përfshirë të gjitha partitë dhe ne deputetët këtu.
Zoti Gjiknuri unë personalisht nuk mbush vendet e një komisioni pa sens, unë propozoj që të ulemi dhe të diskutojmë objektin dhe të fusim diskutimin e hapur kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ky është kushti im për pjesëmarrjen në atë komision. Nëse ndodh kështu besoj që do të gjendet dakordësi edhe nga partitë jashtë në rrugë. Nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa ndryshim sistemi" tha Ralf Gjoni.
Kryeministri Rama u shpreh nga foltorja e Kuvendit se PD-ja dhe LSI-ja hedhin baltë mbi Shqipërinë me qëllim bllokimin e hapjes së negociatave duke menduar se do të marrin pushtetin, por shtoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Ai ftoi edhe njëherë opozitën që të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore si vëzhguese me të drejtë vetoje. Rama tha se nuk do asgjësimin e opozitës, por ta mundë me reformën e re zgjedhore në 2021.
"Pritja jonë për çeljen e negociatave nuk lidhet me sa kemi bërë ne por sa janë të tjerët që të bëjnë në betejën e brendshme, sidomos në Francë, që kur vjen puna edhe aty duket sikur hahen arra kur flitet. Është e mirëkuptueshme, janë interesa që nuk përputhen në një moment të caktuar. Në diskutimet e KE vendet vijnë si bartëse të interesave të tyre dhe interesat e brenda prevalojnë mbi strategjinë. A do të çelen apo jo negociatat në qershor apo këtë vit, duhet ti japë përgjigje Këshilli Europian, Komisioni Europian tha se Shqipëria i ka bërë të gjitha ato që duhen.
Qëndrimi jonë i qartë është që ata që kanë hedhur baltë kanë ikur, janë në të drejtën e tyre që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Nuk është detyra jonë ti bindim. Detyra që nuk i kemi nuk kemi pse i marrim. Futen apo jo në zgjedhje, detyra jonë është të fitojmë zgjedhjet dhe të vijojmë përpara një betejë të madhe dhe të përballemi me problemet tona.
Mundësitë për dialog apo bashkëpunim, ata kanë një karrige vëzhguesi në Komisionin për Reformën zgjedhore dhe kanë status të veçantë dhe mund të vendosin edhe veton për gjërat që nuk janë dakord, se nuk duam të asgjësohen por ti mundim në 2021 me rregullat e përcaktuara. Të përmirësojnë edhe ato seflie-t nga veturat dhe në përballjen elektorale të shikojmë cfarë mendon populli.
Ata që nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke i bllokuar do të marrin pushtetin do të zhgënjehen thellë, pasi jemi ne që do i hapim dhe që do i fitojmë zgjedhjet dhe që do ta fusim Shqipërinë në BE-, mbajeni mend. Nuk e di kur do futet, pasi deri kur të ndodhë PS-ja do të jetë këtu" tha Rama.
Një nga kushtet për Shqipërinë për hapjen e negociatave ka qenë reforma në drejtësi. Kryeministri Edi Rama kishte një përgjigje për ndërkombëtarët që kanë kërkuar 'peshq të mëdhenj' para drejtësisë. "Çfarë lloj 'peshqish' janë ata që sot janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, të vegjël? Cfarë lloj peshe kanë pasur ata mbi shpatullat e këtij vendi? Shumë të madhe. Një pjesë e të larguarve duhet të kthehen jo më për t'u vetuar, por për t'u hetuar për pasurinë pa fund" tha Rama. Kryeministri tha se nga 92 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar në sitë, 60 janë përjashtuar.
Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat dhe tani fati për hapjen e negociatave është në dorën e vendeve anëtarë, një pjesë e të cilave kanë një debat të brendshëm. "Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte për të dytën herë nga KE për Shqipërinë është edhe rikonfirmim i një të vërtete shumë të të thjeshtë, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim. Hapja e negociatave është një vendim që merret nga KE-ja, që përbëhet prej të gjithë kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtare bazuar në rekomandimin e komisionit, por edhe si rezultat i dinamikave të brendshme në vendet anëtare. Nëse raporti i KE ndërtohet mbi kritere teknike duke verifikuar kryerjen detyrave, vendimmarrja i kalon kriteret teknike, subjektiviteti politik i vendeve ka rolin e tij. Jemi në kushtet kur nga brenda vendit u jepet forcave që janë kundër zgjerimit një ushqim kundër vendit. Në funksion të pengimit të kësaj vendimmarrje dhe krijimit të aleancave që janë të vendosura kundër zgjerimit" tha Rama.
Viedhiet ne Rinas kan hyr ne mode .Besoni se eshte rastesi viedhia per te treten apo te katerten here ne Rinas, me shuma te medha evrosh .Zoterinj,nuk behet fiale per hajdut xhepash ,por grupe te mirorganizuara kriminelesh ,qe demtojne ekonomine e popullit si dhe demtojne rend imazhin e shtetit .Mund te ndodhin shum ngjarie te renda ,por vetem nje here ;kesaj mund ti themi rastesi ,-por edhe rastesia ka nje shkak -kurse ne rastin tone ,rruga e viedhies eshte bere si rruga e kroit (cezmes).Mendoj se ky rast duhet konsideruar ,jo vetem i rende por edhe fyes ,ndaj institucioneve , punes dhe kontrollit nga qeverisia .Te kritikosh qeverine dhe punonjesit e saj per pune te dobet,-e cila duket qart- eshte detyr e c'do shqipetari ;jo per ti sulmuar e shkateruar ,por per ti motivuar, ti rikthehen punes dhe te justifikojne besimin qe u ka dhene populli ,-votus dhe jo votus -. Faleminderit .
PërgjigjuLleshaj ka shume te drejte! Ajo qe ndodhi ne Rinas mund te ndodhe edhe tek ne ne Amerike. Ne 11 Shtator, megjithese terroristet nuk u futen ne pisten e aeroportit duke thyer nje dryn, gjithe bota i shtoi masat e sigurise ne menyre qe te mos mund te futet as miza pa u kontrolluar. Sidoqofte, jam i sigurt se edhe tek ne nje grabitje e tille, duke u futur me force ne piste, mund te ndodhe, apo jo? Sander, ta merr mendja qe grabitesit te mos bejne dot nje gje te tille ne Amerike? Jo, jo, eshte e sigurt qe kjo mund te ndodhe ne çdo aeroport te kryeqyteteve perendimore, sidomos pas 11 Shtatorit. Bye Sander!
Përgjigju