TIRANE - Vendimi i shumëdebatuar ish-kryegjyqtares së Durrësit, Joana Qeleshi (e vetëlarguar nga drejtësia para se të përballej me Vetingun), duke njohur 75-vjeçarin Pal Seçuni si pronar të 45 mijë metra katrorë tokë e pemishte, më parë pronë e shtetit, në Gjirin e Lalzit, dyshohet dhe përflitet si burimi i konfliktit mes të fortit të Sukthit Landi Muharremi, biznesmenit të dhunuar libanez Fadi Mitri dhe qeverisë. Libanezi Fadi Mitri kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë deri në fillim të vitit 2016, në një sipërfaqe që rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit. Por, më datë 25 mars të vitit 2016, Joana Qeleshi, dha vendimin që 45 dynymë tokë t’i njihet si pronë një familje nga Durrësi.
Nga Ministria e Drejtësisë u pretendua se prona në fjalë kishte të bënte me sipërfaqen që qeveria i kishte dhënë biznesmenit. Në shtator të 2016, biznesmeni Mitri u dhunua barbarisht, i cili u detyruar të largohej nga Shqipëria. Mes personave të ndaluar në atë kohë si të dyshuar për dhunimin ishin edhe Landi Muharremi, i cili së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho dhe njohur me nofkën "Rrumi". Gjatë atentatit disa ditë më parë në mbikalimin e Shkozetit, ‘Rrumi’ ishte në makinë me prokurorin Arjan Ndoja, i cili po hetonte tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Pas rrahjes së biznesmenit libanez, akt i cili mbeti pa autor të ndëshkuar, qeveria doli në krah të biznesmenit, ndërsa Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Joana Qeleshit, e cila kishte dhënë vendimin.
Kërkesa bazohej në inspektimin e kryer nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, inspektim i cili është iniciuar mbi bazën e ankesës së kompanisë “Omnix” të Fadi Mitrit. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjykatësja nuk kishte përcaktuar vlerën e sendit të paluajtshëm si objekt gjykimi, ka zhvilluar proces gjyqësor me ndërgjyqësi jo të rregullt, gjatë procesit kishte një proces administrativ të filluar dhe ende të pambyllur, nuk ka identifikuar saktësisht regjimin juridik të pronës, ka marrë vendim në kundërshtim me provat etj. Gjatë mbledhjes së KLD në mars të 2017 për këtë kërkesë, është thirrur Joana Qeleshi për të dhënë sqarime.
Nga procesverbali i siguruar nga Shqiptarja.com, Qeleshi ka hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë, me argumentin se palët ndërgjyqëse nuk e kanë ankimuar vendimin e saj. Më tej, znj. Qesheli thotë se sipërfaqja në fjalë është “një pronë shtetërore jo publike pasi bëhet fjalë për një pasuri të paluajtshme e cila ka qenë e llojit pasuri tokë arë, e llojit tokë pemishte nuk është një pasuri publike”.