Dosja e lobimit në SHBA, Basha në prokurori si i pandehur: S'ka rusë dhe prova, nuk kam frikë

19 Qershor 2019, 14:09 | Përditesimi i fundit: 2019-06-19 19:17:12

TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka paraprirë shoqërimit me forcë duke u paraqitur vetë në Prokurorinë e kryeqytetit paraditen e sotme në orën 10:15 minuta. Liderit të opozitës iu komunikua zyrtarisht akuza si i pandehur për dosjen e lobimit rus në SHBA në fushatën e zgjedhjeve të 2017. Pas qëndrimit për rreth 45 miunta në prokurori, Basha deklaroi në një prononcim për mediat se akuza është politike, pasi nuk ka asnjë provë kundër tij.

"Për skandalet që kanë plasur dhe ato që janë njoftuar nesër. Tani prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe, apo shtesë që prej 25 marsit kur isha këtu. Kjo për arsye se kjo akuzë është montuar në zyrën e Edi Ramës.

U njoha me akuzën që nuk është akuzë, pasi nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë, nuk ka asnjë rus të vetëm. Pra është një akuzë për të shpërqendruar nga skandalet që do të plasin nesër nga BILD për të parë ku e ka katandisur vendin Rama. Dosjen u thashë ma vendosin në dispozicion, por nuk e kishin gati.

Kam pesë herë që vij këtu. Sa herë që plasin skandalet e kësaj qeverie të lidhur me krimin këta riaktivizojnë dosjen për llogari të Edi Ramës. Atë ditë (të hënën) nuk paraqita se nuk kishin zbatuar ligjin ndërsa sot u paraqita se kishin një plan për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet" tha ai. 

Por a ka frikë Lulzim Basha? "Këtu ku jemi ka plot njerëz të frikësuar, por unë nuk jam njeri prej tyre" u përgjigj lideri i PD-së. 

Ditën e hënë Basha refuzoi fletë thirrjen për të shkuar në organin e akuzës, pasi më parë kërkoi që të njihej me provat, ndërsa prokuroria i la afat deri në 20 qershor, në të kundërt do të shoqërohej me forcë. Por Basha vendosi që të ngjiste vetë sot paradite shkallët e prokurorisë së Tiranës.

Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani që u paraqit dje në prokurori, por edhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.