Dosja e tërmetit/ Mes të arrestuarve si abuzues edhe biznesmeni që ndërtoi pallatin e Bashës në Vlorë

15 Janar 2020, 21:32

TIRANE-Mes 31 të arrestuarve nga 42 urdhër arreste që lëshoi prokuroria e kryeqytetit për dosjen e tërmetit është edhe biznesmeni Gerti Çalliku. Ky i fundit është një emër i njohur, i lakuar shumë herë në vitin 2014-15, pasi ndërtoi kompleksion “Jon” në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë, të njohur ndryshe edhe si pallati i vjehrrit të kreut të PD-së, Lulzim Basha. Biznesmeni Çalliku, administrator i kompaninë “GBA-Studio”, ndërtoi kompleksin “Jon” të rrëzuar me tritol në 14 dhjetor 2014.

Çalliku njihet që ka lidhje të forta me Xhuvi Sharxhin, ky i fundit bashkëpronar në kompleksion “Jon” me Xhaver Isufin, vjehrrin e kreut të PD Lulzim Basha. Çalliku ka ndërtuar edhe disa pallate në Tiranë, ndërsa mbrëmjen e djeshme u prangos nga policia. Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno i ftuar në studion e emisionit 'Repolitix' u shpreh se Çalliku është shumë afër me familjen e Lulzim Bashës dhe personi kryesor mes të arrestuarve. 

Gerti Çalliku është njeri i afërt me PD-në. Ndërtoi treçerekun e pallatit të kompleksit "Jon" në Vlorë, është shumë afër familjes Basha dhe ndërtues i disa pallateve dhe përfitues i disa lejeve të ndërtimit kur drejtonte Lulzim Basha dhe personi që ka përfituar dëmshpërblimin e kompleksit, jo vetëm nga Strasburgu po edhe nga qeveria shqiptare. Ky është njeriu kryesor mes të arrestuarve për gjykimin tim, është më i rëndësishmi. Nuk është vetëm ndërtues, por edhe kolaudues dhe arkitekt.

Nuk e kam të qartë për cfarë e akuzon prokuroria Çallikun, por pjesa dërrmuese janë zyrtarë të qeverisë së djathtë, të komunave në Farkë, Kashar dhe Vorë. Këto institucione në kohën kur kanë ekzistuar janë drejtuar nga PD-ja. Hetimi nuk ka prekur ndërtimet në qendër të Tiranës, por vetëm në periferi, ku ka pasur dëmtime dhe denoncime. Hetimi sapo ka filluar" u shpreh gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.

Biznesmenin Gerti Çalliku dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar, prokuroria i akuzon për shkelje të rënda; si projekte të ndryshuara, mungesë dokumentacioni në raportet sizmologjike, mungesë të cilësisë së materialeve ndërtimore si hekur e beton si dhe shumë dokumente të cilat nuk korrespondojnë me lejet e dhëna. Prokuroria e Tiranës sot bëri bilancin e operacionit “Tërmeti” ku nga 42 urdhër arresti 31 janë ekzekutuar mes tyre dhe prangosja e ish komunarëve lokal të PD-së, Fatbardh Plaku dhe Besnik Fuçia, por edhe Faik Fejzo, një tjetër i arrestuar, ka qenë ish-kryetar i komunës së Kasharit në vitin 2003.