TIRANË - 31 persona janë arrestuar të martën dhe ditën e sotme pasi dyshohet për shpërdorim detyre në lidhje me ndërtimet të cilat pësuan dëmtime serioze nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë, duke u shpallur objekte të pabanueshme në qarkun e Tiranës. Gjashtë kanë ikur jashtë vendit dhe 5 të tjerë janë lokalizuar dhe po punohet për kapjen e tyre.

Drejtuesja e prokurorisë Tiranë Elisabeta Imeraj u shpreh se ky hetim vijon dhe veç  Vorës, Kasharit dhe Farkës ajo i bëri thirre të dëmtuarve të denoncojnë çdo rast në qarkun e Tiranës. Hetimet që çuan në arrestime, u fokusuan në analizimin e të gjitha dosjeve të objekteve të shpallura të pabanueshme në Tiranë. Ndërsa më tej, hetimet do të vijojnë për bashkinë e Kamzës dhe të ish-komunës së Dajtit.

Prokurori i çështjes Erjon Imeri që ka drejtuar këtë procedim u shpreh se kanë konstatuar shkelje të rënda si projekte të ndryshuara, mungesë dokumentacioni në raportet sizmiologjike, mungesë të cilësisë së materialeve ndërtimore si hekur e beton si dhe shumë dokumente të cilat nuk korrespondojnë me lejet e dhëna.

Një ditë më parë Prokuroria firmosi 42 urdhër ndalime për ish-zyrtarë vendorë, inspektorë ndërtimi, arkitektë, inxhinierë dhe ndërtues në disa komuna të Tiranës, Farkë, Kashar dhe bashkinë Vorë, dhe 31 prej të cilave u ekzekutuan nga Policia e Tiranës pasditen e djeshme dhe sot.

Mes të ndaluarve janë edhe ish-kryekomunari i Farkës, Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit, Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta, dhe Adhurim Qehahaj, ish-shef i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit.  Ata dyshohen të kenë favorizuar ndërtime jashtë kritereve apo lejeve të lëshuara, për ndërtime të një cilësie të dobët, duke ndërhyrë në strukturë me hollimin e  bazamenteve mbajtëse të tyre. I fundit i arrestuar është ndërtuesi, Fejzo Dyrmishi i cili u ndalua këtë të mërkurë.

Ndër të arrestuarit e dosjes “tërmeti” është edhe një biznesmen klinike dentare i cili në kombinat ka kryer punime pa leje në pallatin nga ku ra tulla që i mori jetën Xhesika Biqikut.

Tre prej të arrestuarve Fatbardh Plaku, Adhurim Qehajaj Vjollca Hoxholli

Rreth një muaj më parë Prokuroria e Durrësit lëshoi 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë, por 9 prej tyre u liruan nga gjykata.

Gjatë kësaj kohe në prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur dhjetëra kallëzime penale, ku banorë të ndryshëm denoncojnë në prokurori dhe polici, pronarët e bizneseve të kateve të para, të cilat i kanë kthyer apartamentet e pallateve të kateve të para në lokale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:31
Prokurorët japin DETAJET: Ja çfarë gjetëm në dosjet e objekteve që u shpallën të pabanueshme nga tërmeti (VIDEO)

Prokurorët e çështjes sqaruan atë se çfarë kanë gjetur në dosjet e objekteve të shpallura të pabanueshme në qarkun e Tiranës, e veçanërisht në VOrë, Kashar e Farkë, ku janë bërë analizimet e akteve të ekspertimit për objektet.

"Mungojnë studimet sizmiologjike, të cilat për një kategori ndërtesash mbi 7 kate është akt i domosdoshëm. Mungojnë oponencat teknike për administratorët e të cilëve janë lëshuar edhe urdhra ndalimi, mungojnë procesverbale të përfundimit të karabinave, të objektit. Në disa dosje mungojnë aktet e konstatimeve nga zyrat urbanistike, në komunat Farkë dhe Kashar, për të legalizuar mungojnë aktet e qëndrueshmërisë", tha prokurori Erjon Imeri, duke shtuar se këto janë shkeljet që lidhen me ish-funksionarët publikë në komunën e Farkës dhe të Kasharit të cilët kanë shpërdoruar detyrën.

Ndërkohë sa i përket detyrave që i takojnë drejtuesve ligjorë të objekteve, inxhinierëve etj, prokurorët sqaruan mangësitë që kanë gjetur në dokumentacion.

"Ka mangësi lidhur me aktet e kolaudimit të objekteve. Ka mangësi edhe në aktet e marrjes në dorëzim të shesheve të ndërtimit, procesverbali i gërmimit, betonimit, të lidhjes së hekurit, të provave për betonin dhe hekurin, certifikatat e cilësisë së punimeve, dhe një sërë aktesh të tjera që janë konstatuar me mangësi. Në disa raste mungon edhe leja e objektit dhënë nga njësia administrative", thanë prokurorët e çështjet.

Ndërkohë akuza e ndërtimit të paligjshëm është ngritur për ata persona që kanë bërë ndërtime shtesë që kanë sjellë dobësimin e strukturës së objekteve.

"Ka punime qe kanë dëmtuar kolonën për t'i përshtatur ato për biznese të tjera", thanë ata.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi foli për punën organizative në drejtim të të arrestuarve. "Policia i ekzekutoi urdhrat e ndalimi, pavarësisht se ishin shumë, u angazhuan të gjitha strukturat, dhe dje u ndaluan 29 autorëve, dhe jemi në proces të dy të tjerëve që sapo janë kapur dhe po kryhen veprimet procedurale. Bashkëpunimi me prokurorinë gjatë vitit 2019 ka qenë shumë i mirë me rezultate konkrete", tha ai.

Ora 13:18
Imeraj: Janë arrestuar 31 persona përgjegjës, hetimet po vijojnë (VIDEO)

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj, ka deklaruar se ka arritur në 31 numri i të arrestuarve për sa i përket drejtuesve dhe zyrtarëve që kanë abuzuar me ndërtimet pa laje dhe që për pasojë sollën humbjet në jetë njerëzish pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.

Sipas Imerajt janë 25 institucione të dëmtuara në Qarkun e Tiranës, ndërsa 134 janë pallate ndërsa shtëpi private janë mbi 200 që janë shpallur të pa banueshme dhe ku do të kryhen hetimet

"Janë evidentuar 25 institucione, 134 pallate dhe 200 banesa të dëmtuara në Qarkun e Tiranës nga tërmeti i 26 nëntorit. Është arritur në konkluzionin se janë evidentuar dhe identifikuar autorët, që u bënë shkak e pasojë për arrestimet e djeshme, numri i të cilëve ka arritur në 31”, tha prokurorja Elisabeta Imeraj.

Imeraj ndër të tjera ka thënë se arrestimet janë bërë për ndërtesat që janë shpallur të pabanueshme dhe ku janë kryer hetimet, ndërsa paralajmëroi arrestime të reja pasi sipas saj hetimet do të vijojnë në çdo objekt të dëmtuar.

Sipas Imerajt në dokumentet e siguruar nga hetimet është vërejtur se nga këta persona të arrestuar, zyrtarë dhe ndërtues ka të dhëna fiktive ndryshe nga ata që janë deklaruar në të vërtetë. Kështu ndërtuesit kanë ndryshuar projektimet. Ndaj sipas Imerajt është edhe vepra për 'falsifikim detyre', dhe së fundi edhe ajo e 'ndërtimit të paligjshëm'.

Ndër të tjera Imeraj është shprehur se hetimi do të vijojë edhe në ndërtesat brenda Tiranës që janë konstatuar të pabanueshme.

"Prokuroria ka hetuar në drejtim të identifikimit të autorëve me detyra përkatëse në institucionet shtetërorë që kanë pasur detyrë të dorëzojnë informacionet, për kolaudim ndërtesash, apo të bëjnë një kontroll të atyre për të cilat kanë dhënë lejet e ndërtimit. Është marrë në konsideratë dokumentacioni i çdo banese që është shpallur e pabanueshme, për të parë nëse veprimet kanë qenë në përputhje me ligjin apo jo. Ndaj është ngritur akuza për shpërdorim detyre. Nga dokumentacioni janë zbuluar edhe elementë ku janë pasqyruar të dhëna fiktive të ndryshme nga ato të pasqyruara në realitet. Ndaj është edhe vepra për falsifikim detyre, dhe së fundi edhe ajo e ndërtimit të paligjshëm. Po hetohen në mënyrë të plotë të gjitha objektet që me akt konstatimi janë nxjerrë të pabanueshme. Janë të shumta në numër, por gjej rastin të falenderoj kolegët për impenjimin e tyre. Konkludimi i hetimeve është bërë për një pjesë të tyre. Falenderoj Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera që kanë ndihmuar në këtë hetim të nisur nga nëntori. Jemi në vijim të procesit për zona të tjera që nuk përfshijnë vetëm Vorë, Kashar, Farkë, por ka një shtrirje për të gjitha ndërtesat në Tiranë që janë konstatuar të pabanueshme", tha Imeraj.

Ora 12:01
Dy ish-kryekomunarë, një shef urbanistike dhe 2 arktitekte, LISTA e personave të arrestuar pas hetimeve nga tërmeti në Tiranë

Report Tv zbardh listën e urdhër arresteve të lëshuara nga Prokuroria, lidhur me banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje. Mes të arrestuarve janë dy ish-kryekomunar, një ish-shef urbanistike, si dhe dy arkitekte.

LISTA

1. Fatbardh Plaku ish-kreu i Komunës Farkë

2. Besnik Fuçia, ish-kreu i Komunës Kashar

3. Luan Beta, ish-kreu i Urbanistikës, Vorë

4. Anila Harxhi, arkitekte

5. Merita Kushi

6. Bukurije Halili

7. Asqeri Xhanari

8. Vjollca Hoxholli (ndërtuese)

9. Gerti Çalliku

10. Jani Ikonomi

11. Qirjako Gjergo

12. Sherbet Shehi

13. Naim Shehi

14. Ermir Çina

15. Adhurim Qehajaj

16. Gëzim Shkalla

17. Pëllumb Fortuzi (ndërtues)

18. Xhevahir Doda

19. Reis Muça

20. Hekri Disha

21. Agim Eski

22. Faik Fejzo

23. Zhaneta Tagani

24. Muhamed Felahi

25. Ndoc Pepkola

26. Hekri Disho

27. Fejzo Dyrmishi (ndërtues)

Ora 11:33
Hetimet/ Tulla ra dhe i mori jetën 20-vjeçares, një pronar dentisti kishte ndërhyrë në pallat

Detaje të reja kanë dalë në pah, nga dosja e hetimit për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit. Numri i të arrestuarve ka shkuar në 27, ndërsa një prej tyre është me profesion dentist, ku sipas prokurorisë ai ka bërë ndërhyrje në pallatin e tij në Kombinat.

Si pasojë në këtë pallat gjatë tërmetit u shkëputën disa tulla, ku njëra i ra në kokë 20-vjeçares Xhesika Biqiku. E reja edhe pse për disa ditë ishte në spital, humbi betejën me jetën. 

Ndërkohë për shkeljet dhe abuzimet me ndërtimet pa leje, hetimet vijojnë dhe rezulton që 11 persona janë në kërkim. 

Ora 11:30
140 objekte pa projektim teknik për lëkundjet sizmike, hetimi shtrihet në Kamëz dhe në zonën e Freskut

Teksa numri i të arrestuarve ka shkuar në 27, nga këto ndërtues e zyrtarë, detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja e hetimit për dëmtimet nga tërmeti i 26 nëntorit që la pas shumë viktima dhe të plagosur. Nga hetimet rezulton se 140 objekte nuk kanë dosje projektimi sizmik kur janë ndërtuar. Ndërkohë edhe materialet e ndërtimit sipas prokurorisë nuk janë shoqëruar me certifikatë tenknike sipas standardeve.

Ndërkohë në dosje thuhet se hetimet e Prokurorisë pas Farkës, Kasharit e Vorës janë shtrirë edhe në zonën e Freskut dhe në Kamëz. Prokuroria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që te denoncojnë të gjitha rastet që pretendojnë se janë mashtruar.

Ora 11:16
Dëmtimet nga tërmeti, ndalohet ndërtuesi i shpallur në kërkim, 6 të kërkuar rezultojnë jashtë vendit


Ka shkuar në 27 persona numri i të arrestuarve për sa u përket dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit ku rrëzimi i disa pallateve e ndërtesave të tjera mori jetën e shumë personave dhe la mijëra familje pa banesa.

I arrestuari i fundit është Fejzo Dyrmishi, ndërkohë në kërkim mbeten edhe 11 persona të tjerë ndërsa 2 janë nën hetim.  

Bëhet e ditur se nga të dhënat në sistemin TIMS rezulton se 6 nga të shpallurit në kërkim ndodhen jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë Report Tv ka siguruar edhe emrat e disa të tjerëve të arrestuar ata janë, Zhaneta Tagani, Muhamed Felahi, Ndoc Pepkola, Hekri Disho.

Ora 21:15
Sot u ndalua për dosjen e tërmetit, ish-kryekomuari i zgjedhur nga PD-ja në 2019 u prangos për mashtrim

1579033265_1579033079besnikfucia.jpg

Prokuroria e Tiranës lëshoi 38 urdhër arreste për zyrtarë dhe ndërtues të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Mes të ndaluarve janë edhe ish-kryekomunarët e Farkës Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit Besnik Fuçia. Për Fuçinë ky nuk është rasti i parë për problemet me ligjin. Në muajin maj të 2019, ish-kryetarin e Komunës së Kasharit, Besnik Fuçia (i zgjedhur nga Partia Demokratike) u arrestua me akuzën e mashtrimit, por më pas u la në detyrim paraqitje nga gjykata për të vijuar hetimet në gjendje të lirë (lexo këtu skemën e mashtrimit).

Ora 19:30
Mashtronte qytetarët duke shitur disa herë një apartament, administratorja e firmës ndërtuese mes të arrestuarve për tërmetin

1579027199_hoxholli.jpg

Mes të arrestuarve lidhur me pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, është edhe administratorja e kompanisë “Hoxholli". Vjollca Hoxholli  rezulton se është arrestuar më herët për shkak se mashtronte qytetarët duke i shitur nga dy herë apartamentet. Për të njëjtën vepër penale, bashkëshorti i saj Rrapush Hoxholli është shpallur fajtor nga Gjykata e Durrësit dhe është dënuar me 10 vjet burg, dhe u lirua më pas për shkak të moshës madhore 75 vjeç. Çifti i bashkëshortëve dyshohet se mashtronin qytetarët shkodranë, duke iu shitur të njëjtin apartament disa njerëzve njëherësh.

Ora 19:04
U largua nga puna pas lejes dy-javore, ish-shefi i Urbanistikës në Durrës mes të arrestuarve për pallatet e shembura nga tërmeti

1579026192_adhurim.jpg

Mes të arrestuarve pas hetimeve për banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit është edhe Adhurim Qehajaj-ish shefi i urbanistikës në bashkinë e Durrësit deri në muajin shtator 2019. Ai u largua nga puna tetorin e vitit të kaluar, duke njoftuar dorëheqjen pasi kishte marrë dy javë leje.

Ora 18:42
38 urdhër arreste për zyrtarë dhe ndërtues pallatesh! Momenti i shoqërimit në polici

Shqiptarja.com sjell pamjet e momentit kur janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës disa prej personave që akuzohen si të përfshirë. Në pamje duket momenti kur efektivët e kryeqytetit shoqërojnë në ambientet e policisë disa prej personave që prokuroria lëshoi urdhër arrestet. Zyrtarë dhe ndërtues të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, në Vorë, Kashar dhe Farkë përfunduan në pranga gjatë një aksioni të finalizuar pasditen e sotme.