Drejtori i politikës monetare në BSH: ‘Paqet fiskale’ të përdoren rrallë, të rishqyrtohen tatimet e diferencuara për sektorët të caktuar

10 Nëntor, 12:47 | Përditesimi: 10 Nëntor, 12:47

Banka e Shqipërisë vlerëson pozitivisht punën që po bëhet nga institucionet për formalizimin e ekonomisë, por këshillon që të vlerësohen edhe përjashtimet tatimore sesa efektive janë në raport me objektivin për uljen e informalitetit.

“Ne kemi folur edhe në kuadër të buxhetit të mëparshëm, ka nevojë për rishqyrtimin të shpenzimeve tatimore ose me fjalë të tjera, aplikimi i normave të diferencuara të sistemit tatimor për sektorët e ekonomisë të cilat kanë një ecuri dhe performancë të mirë, mbetet për t'u parë efektiviteti i këtyre taksave të ulëta”, thotë drejtoi i politikës monetare Erald Themeli.

Madje banka nuk është optimiste as për përsëritjen e amnistive fiskale.

“Për formalizimin absolutisht ka vend për përmirësim, domethënë ne konstatojmë në atë lexim të projektbuxhetit që kemi bërë, faktin që ka një përpjekje shtesë për hyrjen në formalizimin e ekonomisë, megjithëse praktika e paqes fiskale është diçka që duhet përdorur në mënyrë të rrallë, nuk është një instrument që mund të përdoret në vazhdimësi për këtë, po patjetër ekonomia shqiptare ka një nivel të lartë informaliteti, patjetër që mund të bëhet më shumë”, thotë Themeli.

r.k./Shqiptarja.com