Duka e konfirmon nga Italia, të enjten pritet zyrtarizimi i rinovimit të kontratës me Reja-n

20 Nëntor 2019, 15:58

Të martën mediat në Itali e bënë të përfunduar bashkpunimin mes Edy Reja-s dhe kombëtares së Shqipërisë, por një ditë më pas situata paraqitet krejt ndryshe. Fillimisht ka qenë vetë presidenti i FSHF-së, Armando Duka, që në një lidhje  të drejtpërdrejtë me emisionin “Punto Nuovo Sport Shoë”, në “Radio Punto Nuovo”, indirekt ka konfirmuar 74-vjeçarin të cilit sot i ka përfunduar kontrata me kuqezinjtë.

Reja nuk rrezikon asgjë, ai ka bërë një punë të mirë. Me siguri ka pjesën e tij të gabimeve, si të gjithë ne. Me Andorran është dashur të bëjmë më mirë, e nënvlerësuam, por Reja nuk rrezikon,”-është shprehur Duka.

Ndërkohë burime pranë federatës bëjnë me dije se akordi mes palëve është gjetur. Reja do të rinovojë me FSHF-në për dy vitet e ardhshme, me opsion edhe për dy vite të tjera, por me kushtin që të arrijë kualifikimin në Botërorin e 2022.

Sa i përket kësaj marrëveshje ende asgjë nuk është zyrtare, por burime të ‘Report TV’ në federatën shqiptare të futbollit bëjnë me dije se e zeza mbi të bardhë sipas të gjitha gjsave do të hidhet ditën e nesërme.