‘Bomba’ vjen nga Italia. Mediat atje shkruajnë se Edy Reja, trajneri i kombëtares shqiptare, nuk do të vijojë të jetë më trajner i kuqezinjve. 74-vjeçarit i ka përfunduar kontrata pas ndeshjes me Francën dhe sipas të gjitha gjasave pritej rinovimi, duke parë edhe atmosferën që ishte në ekip pas ardhjes së tij.

Gjithsesi ‘Gazzetta dello Sport’ ka shkruar sot se pavarësisht takimit që do të ketë me Dukën, divorci mes palëve është i pashmangshëm. Kjo për shkka se nuk u arrit objektivi.

“Ndërkohë trajneri Reja po mbyll eksperiencën shqiptare. Kontrata ka mbaruar në ndeshjen e fundit kualifikuese. Trajneri do të takohet me presidentin e federatës por divorci duket i paevitueshëm”, shkruan “Gazzetta dello Sport”.

Burime të ‘Report TV’ kanë mësuar se në ditët në vijim Duka dhe Reja do të kenë një tjetër takim për të biseduar për të ardhmen, ndërkohë që ditën e hënë palët janë takuar në ambientet e FSHF-së ku të pranishëm kanë qenë edhe disa aktorë të tjerë.