Dy viktimat e atentatit në Elbasan lëviznin me makina të blinduara, 3 atentatorët i pritën te lokali dhe i qëlluan me breshëri kallashnikovi! Në makinën e djegur u gjetën 2 armë

5 Tetor 2021, 12:16 | Përditesimi i fundit: 2021-10-05 16:00:20

ELBASAN- Dy viktimat e mbrëmjes së kaluar në Elbasan, Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku lëviznin me makina të blinduara, kështu që atentati ndaj tyre ka qenë i mirëmenduar dhe i lëvizjet e tyre janë monitoruar nga autorët. Tre ishin autorët, mëson Report Tv, të cilët kanë pritur shënjestrën e tyre brenda një makine aty pranë dhe kur ato të dy kanë ardhur për të hyrë në lokal, kanë qëlluar me breshëri plumbash, duke lënë të vdekur në vend Lulzim Bitrin dhe të plagosur rëndë Ardian Çollakun, i cili ndërroi jetë në spital.

Në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 20 gëzhoja, ndërkohë që autorët pas krimit i kanë vendosur flakën makinë me të cilën kryen atentatin dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Në makinën e djegur janë gjetur 2 armë, 1 automatik dhe një kallashnikov. Ka dyshime se vrasja e dyfishtë mund të ketë ndodhur për larje hesapesh, pasi dy viktimat ishin me precedentë të mëparshëm penal.