E akuzuan se shfaqej në video duke pirë kokainë, del negative analiza e drogës për Lefter Allën

25 Shkurt 2020, 14:37

TIRANE- Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla nuk ka konsumuar kokainë. Kjo është përgjigja e analizës pranë laboratorit të policisë shkencore për praninë në drogë në urinë dhe gjak të Allës, mësuar ekskluzivisht nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta. Alla iu nënshtrua hetimit nga SPAK  pas akuzave të Partisë Demokratike se shfaqet në një video duke pirë kokainë. Rezultati i është përcjellë SPAK dhe pritet që hetimi të pushohet për sa kohë ai nuk ka rezultuar përdorues i lëndës narkotike. Ndërkohë që mbetet ende e papërcaktuar koha kur është regjistrua video ku Alla u përfol se shfaqet duke pirë kokainë.

Avokati i Allës, Petrit Ismaili pritet t'i drejtohet SPAK brenda javës për pushim të hetimeve. Pas publikimit të vides, Alla mohoi të jetë ai në të, duke kërkuar që prokuroria të gjejë përmes atyre që e publikuan, personin që shfaqet duke pirë kokainë.Ai paralajmëroi se do të padisë për shpifje ish-deputetin Ervin Salianji, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike se bashkë me një televizion lokal kanë montuar videon. Ai tha se ekzistenca e "video-montazhit më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë" duke e mohuar.