E ardhmja politike e Rudina Hajdarit / Pjesa e parë

4 Korrik 2019, 09:15

TIRANE - Kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari e ftuar në emisionin Repolitix në Report Tv përballë gazetarit Denis Minga, e cilësoi të turpshme deklaratën e Presidentit Meta në të cilën sulmoi faktorin ndërkombëtar. Sipas deputetes Hajdari, Meta hoqi dorashkat dhe nuk u soll si President duke shtuar se ndërkombëtarët e huaj kanë luajtur gjithmonë një rol konstruktiv në Shqipëri. Sa i përket situatës brenda PD-së, deputetja thotë se selia blu po vuan gabimin e djegies së mandateve. Lidhur me situatën në PD pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Hajdari mendon se Bashës i ka dalë situata jashtë kontrollit.

Rudina Hajdari thotë se zgjedhjet e 30 qershorit janë fakt, ato tashmë janë bërë dhe ligjshmërinë ose jo të tyre mund ta ndërmarrë vetëm Gjykata Kushtetuese. Duke komentuar vendimin e kryebashkiakëve të PD-së për të mos liruar zyrat për të zgjedhurit e rinj socialist nga 30 qershori, kryetarja e grupit parlamentar demokrat, tha se kjo është një situatë që i ka dalë nga duart kryedemokratit Basha, ndërsa paralajmëroi se do të ketë përplasje.