'E çojmë LSI-në për skrap', Jakaj: Diversion politik nga Rama! Nuk ka armë të tjera

2 Shkurt 2021, 22:22 | Përditesimi i fundit: 2021-02-02 22:30:32

Kandidati për deputet i LSI-së, Besnik Jakaj e ka cilësuar një luftë kriminale dhe diversion politik deklaratën e Ramës i cili tha se ka pasur një projekt me Bashën për të çuar për skrap LSI-në. I ftuar në emisionin Repolitix, Jakaj tha se Rama nuk ka më asnjë armë për të hyrë në fushatë ndaj shkon përmes batutave. Ai tha se koalicioni PD-LSI është i qartë paszgjedhor e do të shkojnë me dy lista ku vetëm në disa qarqe të vogla do të jenë me listë e përbashkët.

"Është një luftë kriminale. Kjo LSI-së i bën mirë. Mua më shqetëson jo si drejtues të LSI-së. Në 2017, me marrëveshje PD dhe LSI bën fushatë kundër LSI-së. Është e parëndësishme kjo. Kjo është vetëm diversion politik. Qeveria ka qenë shumë herë më e keqe në këto 4 vite se sa kur ishte në koalicion me LSI-në. Sot Rama nuk ka asnjë armë. Do hyjë në fushatë me batuta (...) LSI ka hartuar programin e saj, ka lançuar drejtuesit politikë prej disa muajsh dhe gjithë stafin politik në Tiranë. Koalicioni PD-LSI është i qartë paszgjedhor. Me marrëveshjen e 5 qershorit, prishi koalicionet. Në të gjitha rastet prej më shumë vitesh kanë qenë në të njëjtin mendim, Basha e Kryemadhi për koalicionet. Janë 2 lista, mund të ketë disa kandidatë në disa qarqe të vogla. Janë skema taktike" - tha Jakaj.