E riktheu Gjykata Administrative, kandidatja Zhaklina Peto bllokon listën për Kushtetuesen, KED pret ta vendosë sërish në 'sitë'

26 Gusht 2019, 13:36

Bllokohet dërgimi i listave në Parlament për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Shkak është bërë shqyrtimi që duhet për kandidaten Zhaklina Peto, pasi gjykata Administrative rrëzoi më parë KED.

KED më parë e skualifikoi Peton me argumentin se kishte probleme me pasurinë, ndërsa Gjykata Administrative e riktheu në garë.  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e bazoi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos në raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se ajo “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.

Sipas ILDKPKI, Zhaklina Peto ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 130 m2 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, por nuk ka deklaruar shtesën e apartamentit me sipërfaqe prej 130 m2, nga të cilat 64 m2 janë verandë.

Zhaklina Peto ka hedhur poshtë pretendimet e ILDKPKI-së e cila ka theksuar se ndërtimi pa leje është bërë nga shitësi i pronës, ndaj edhe shtesa ka qenë e paregjistruar. Vendimi  i Gjykatës Administrative të Apelit, e çon në pesë numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që mund të emërohen nga KED.

Burime për Report Tv nga KED bëjnë të ditur se renditja nuk bëhet dot me 5 kandidatë të kualifikuar. KED do të presë vendimin e zbardhur nga apeli për rastin Peto. Kreu i KED, Ardian Dvorani kishte deklaruar se për pak ditë lista me të kualifikuarit do të dërgohej në Parlament e Presidencë, ndërsa prej disa ditësh ka rihapur garën për një vakancë në Kushtetuese.

Ndërkohë Report TV siguron edhe vendimin që riktheu në garë për gjyqtare Kushtetuese Zhaklina Peton. Vendimi është  marrë me 22 gusht.