Edi Rama reagon për herë të parë për vendimin skandaloz ndaj Dritan Dajtit

13 Shkurt 2019, 17:32 | Përditesimi i fundit: 2019-02-13 18:28:24

Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka komentuar skandalin me çështjen Dajti, ku gjyqtarët i hoqën dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve, pasi i pranuan gjykimin e shkurtuar.

Kryeministri i ka quajtur gjyqtarët njerëz të ligj dhe të korruptuar, por që nuk do të mund të shpëtojnë nga reformimi i sistemit gjyqësor.

"Kriminelë me kostum dhe me kravatë", i quajti ai më tej, teksa tregoi vendosmëri se qeveria nuk do të ndalet në betejën që ka nisur edhe ndaj këtij vendimi skandaloz ku deri më tani është kërkuar shkarkimi i gjyqtarëve.

"Njerëz të ligj dhe të korruptuar të cilët nuk janë vetëm ata po janë plot që duke parë se ju ka ardhur fundi në sistemin e drejtësisë po i bien me top. Po kryejnë një akt kriminal, se faktikisht i rivranë 4 policët. Ne nuk do ti ndahemi kësaj çështje që ta zhbëjmë duke bërë të gjithë presionin e nevojshëm por edhe këta gjykatës besoj nuk do t'ja dalin të shpëtojnë kaq lehtë

Më ka ardhur keq për atë që ka ndodhur por nga ana tjetër janë gjëra që nuk më çudisin sepse ne kemi ndërmarrë një reformë të thellë si askush nuk e ka menduar për të pastruar kancerin nga gjithë organizmi i sistemit tonë të drejtësisë duke shkulur nga trupi i sistemit tumore dhe metastaza", u shpreh kreu i qeverisë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i kërkoi zyrtarisht Këshillit të Lartë Gjyqësor të nisë hetimin disiplinor për pesë gjyqtarët e Apelit të Krimeve të Rënda, të cilët më 8 shkurt të këtij viti shpëtuan Dritan Dajtin nga burgu përjetë dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

5 gjyqtarët pranuan kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke vendosur ta dënojnë me 25 vite burgim.

Dritan Dajti është  gjetur fajtor për vrasjen e katër policëve në gusht 2009 në Durrës, dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.

    No videos found.