TIRANE-Zbardhet letra që Presidenti i Republikës Ilir Meta i dërgoi kryetarit të radhës së OSBE-së, Miroslav Lajçak dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Kreu i shtetit shqiptar kërkon nga OSBE-ja që të ndërhyjë për të negociuar zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Për Metën, OSBE-ja është institucioni i duhur për të ndihmuar në kapërcimin e situatës konfliktuale në vendin tonë.
"Siç ju kam njoftuar edhe në disa raste të mëparshme, kriza politike në Shqipëri po thellohet dita-ditës. Tensionet politike dhe shoqërore po rriten, ndërsa polarizimi mes palëve kundërshtare po përshkallëzohet gjithnjë e më tepër. Shqipëria aktualisht po përjeton një situatë të rrezikshme dhe të pashembullt politike, ku shumica qeverisëse në pushtet kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndërsa opozita kërkon delegjitimitetin e institucioneve" thotë ai.
E ndërsa kërkon ndihmën e OSBE-së Meta jep edhe recetën e tij për zgjidhjen e krizës politike. "Nga këndvështrimi im, zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i organizatës sonë".
Lajmin për letrën kreu i shteti e njoftoi paraditen e sotme nga Durrësi. Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes shantazhit dhe presonit po tenton që të pengojë zbatimin e dekretit për zgjedhjet e 13 tetorit. E ndërsa kritikoi edhe opozitën, Meta u bëri thirrje të përgatiten për 13 tetorin, por Lulzim Basha ka refuzuar duke vendosur kusht largimin e Ramës dhe krijimin e një qeveri teknike.