TIRANË- Provokim qesharak e ka konsideruar kryeministri Edi Rama, ofertën e Rusisë për vaksinën "Sputnik-V". Ai tha se Shqipëria është e fokusuar vetëm te tre vaksina, Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna, që janë të njëjtat të cilat do të marrin edhe vendet e Bashkimit Europian. Për këtë arsye, ai tha se pret një ndjesë publike nga ambasada e Rusisë për postimin e bërë, ku theksoi se fillimisht mendoi se ishte një meme.
Ndalur te vaksina anti-COVID, Rama njoftoi sot se vaksinimi anti-COVID në vendin tonë do të nisë brenda muajit janar fillimisht me mjekët e infermierët.
Rama është ndalur te Reforma në Drejtësi ku bëri me dije se deri më tani janë larguar 202 gjyqtarë e prokurorë që nuk e kaluan procesin e vettingut dhe se janë konfirmuar 118. Rama shprehet se ata do të japin përgjigje me patjetër përpara drejtësisë.
Ndërkohë, kreu i qeverisë në konferencën me gazetarët ku po bën bilancin e vitit 2020, shtoi se Shqipëria është bërë një vend më i sigurt, ku janë regjistruar më pak vrasje se një vit më parë. Kreu i qeverisë u ndal dhe në aspektin ekonomik dhe atë shëndetësor në menaxhimin e situatës së pandemisë COVID.