EKSKLUZIVE/ 1.2 ton kokainë në Greqi, takim negociatash në Barcelonë e Tiranë! Report Tv zbardh emrat e kodet e grupit, kush ishte spiuni i DEA-s

27 Janar 2020, 19:20

1.18 ton kokainë e kapur në Astakos Greqi dy ditë më parë në operacionin e policisë greke, asaj shqiptare dhe DEA-s amerikane rezulton se është porosi 100 % e grupeve shqiptare me aktivitet nga Amerika Latine në Europë e Shqipëri.

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht dosjen e prokurorisë greke ku thuhet se plani për të sjellë ngarkesën mbi 1 ton ka nisur prej shtatorit 2018 dhe bisedimet mes trafikantëve janë zhvilluar në Barcelonë e Tiranë

Fillimisht ka qenë shqiptari Alfred Arapi i cili është interesuar në zonë për një mjet lundrimi për llogari të bosit të tij njohur me pseudonimin “Aguaverde ose Doktori” dhe aty ka takuar kapitenin grek Stavro Trantis pa e ditur se ky i fundit ishte agjent i DEA-s.

Trantis ka njoftuar autoritetet të cilat i kanë dhënë 'ok' për të marrë përsipër transportin e kokainës por pa e ditur sasinë dhe emrat e përfshirë.