Ekskluzive/ Gjykata e Elbasanit i hap rrugën Dritan Dajtit për lirimin me kusht

8 Korrik 2020, 20:09

Dritan Dajti, njeriu që mbajti peng për më shumë se 10 vite drejtësinë shqiptare, me çështjen e vrasjes së 4 policëve dhe që në fund arriti të rrëzojë burgimin e përjetshëm, duke u dënuar përfundimisht me 25 vite burg, ka kërkuar bashkim dënimesh. Kërkesa është depozituar në gjykatën e Elbasanit dhe siç mësohet në datën 11 maj 2020 gjyqtari Tomor Kullolli, ka vendosur të bashkojë dy dënime të Dritan Dajtit me 23 vite dhe 25 vite burgim, në një dënim të vetëm, duke dënuar përfundimisht Dajtin me 25 vite burgim.

Me bashkimin e dy vendimeve në një vendim përfundimtar të vetëm, gjykata e Elbasanit sqaron se Dritan Dajtit i kanë mbetur për të vuajtur akoma burg dhe 3 mijë 917 ditë ose thënë ndryshe dhe 10 vjet e 8 muaj e 27 ditë. Me këtë përllogaritje që daton që nga periudha e 20 prillit 2001, duke futur këtu dhe uljet e dënimit me 90 ditë që Dritan Dajti do kërkojë në vitet në vijim, automatikisht këtij të dënuari për 6 vrasje, “Mbajtje pa lejë të armëve”, “Falsifik dokumentash” etj, ti hapet rruga për të kërkuar lirimin me kusht. Kjo pasi pjesën dërmuese të dënimit ose thënë ndryshe ¾ e masës së dënimit ai e ka shlyer në burg dhe mund të praktikohet lirimi i tij.Më kërkesën e depozituar nga Dritan Dajti për bashkim dënimesh, ka qënë dakord dhe drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, që çuditërisht dhe nuk dihet pse, pikërisht ky prokuror ishte ai që përfaqësonte akuzën në këtë proces gjyqësor për bashkim dënimesh, në një kohë kur duhet të paraqiteshin prokurorët e sektorit të ekzekutimeve. Sipas dokumentacionit që disponon “Shqiptarja.com”, thuhet se Dritan Dajti është dënuar tre herë nga drejtësia Shqiptare, dhe ka marë pafajsi një herë për plagosjen e rëndë me dashje në dëm të shtetasve Adnand Derraj dhe Ergys Ferhati ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2001. Rezulton se në 29 qershor 2004, Dritan Dajti dënohet në mungesë me 20 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim” në dëm të biznesmenit Agim Beqja, “Vjedhje me Dhunë” në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarit”.