Ekskluzive/ Harta me qytetet e piketuara nga Sali Berisha për t’i bombarduar në ’97 në Jug, përgatiti 500 granata me lëndë helmuese

19 Gusht 2020, 13:21

Në një material sekret të Ministrisë së Mbrojtjes është zbuluar një hartë me zonat në jugun e Shqipërisë të piketuara nga Sali Berisha në vitin 1997, për t’u bombarduar me avionë luftarakë dhe më pas për t’i pushtuar me këmbësori, në kuadër të planit për shtypjen e rebelimit kundër pushtetit të tij pas vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit 1996, firmave piramidale, reprezaljeve me SHIK-un famëkeq të Bashkim Gazidedes etj. Harta është zbuluar nga Komisioni për Hetimin e Ngjarjeve të muajve janar-qershor ’97, i ngritur pas rrëzimit të Berishës nga pushteti. Komisioni kryesohej nga Spartak Ngjela, ndërsa përbëhej nga anëtarët Spartak Braho, Sokol Hazizi, Fatbardh Hushi dhe Vladimir Fejzo. Në seancën plenare të parlamentit të datës 2 korrik 1998, anëtari i komisionit, Spartak Braho ka raportuar për rezultatet e hetimit.

Braho thekson se gjatë hetimeve është zbuluar një hartë me zonat më të nxehta, si Vlora, Tepelena, Përmeti, Saranda etj., të planifikuara për t’u bombarduar me avion dhe artileri, ku më pas do të hynte ushtria. Komisioni ka zbuluar edhe përgatitjen e 500 granatave me lëndë helmuese, të planifikuara për t’ua hedhur popullsisë. Lënda helmuese që përmbanin granatat ishte fatale për shëndetin e njeriut, ndaj kjo lēndë ishte e ndaluar nga konventat ndërkombëtare. Po pse dështoi operacioni i Sali Berishës kundër qyteteve në Jug të Shqipërisë? Komisioni ka arritur në konkluzionin se operacioni dështoi pasi ushtria u shkatërruar dhe ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali u arratis duke mos pranuar të zbatojë skenarin Berishës dhe Gazidedes për bombardimet. Në këto rrethana, Braho thekson se disa krerë të PD me në krye Shaban Meminë armatosën militantë të PD për të zëvendësuar ushtrinë dhe për të luftuar kundër jugut.Nga dokumentet e siguruara nga Shqiptarja.com, anëtari i komisionit hetimor Spartak Braho tha në seancën e 2 korrikut 1998 se në fund të pushtetit, Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede kanë nisur një operacion për të zhdukur të gjithë dokumentet rreth veprimeve kriminale të tyre, sidomos në SHIK, Ministrinë e Brendshme dhe në Presidencë. Por, Braho ka raportuar se në Ministrinë e Mbrojtjes, e drejtuar nga Safet Zhulali, i akuzuar më pas nga Gazidede dhe Berisha për tradhti, janë gjetur materiale. Pas asgjësimit të dokumenteve me një makineri ë posaçme të blerë nga SHIK, Bashkim Gazidede, njerëzit e tij në SHIK, deputetë dhe ministra u arratisën nga Shqipëria, me përjashtim të Berishës.