Ekskluzive/ Kolaudoi 'përbindëshin' në Durrës, gjykata mbyll dosjen për Arben Qaton e LSI-së

21 Shkurt 2020, 18:50

TIRANE- Gjykata e Durrësit ka vendosur të pushojë çështjen penale në ngarkim të Arben Qatos, inxhinierit, që i doli emri si një nga kolauduesit abuzivë të ndërtimeve pa lejë në qytetin e Durrësit dhe zonën e Golemit. Qato ka qenë ish-kandidat për deputet të LSI-së në qarkun Durrës në zgjedhjet parlamentare të 2017. Si pasojë e kolaudimeve të falsifikuara dhe jo të drejta,por dhe punimeve të dobëta që kishte kryer në hotelin e tij “Vila Palma” në Golem, Arben Qato, në tërmetin e 26 nëntorit 2019 humbi ndërtesën buzë detit, ku nga shembja mbeti i vdekur babai i tij Sadik Qato dhe fatmirësisht shpëtoi njëri nga djemtë e tij.

“Shqiptarja.com” në 5 dhjetor 2019 ka raportuar se ky kolaudues ka falsifikuar dokumente, lidhur me kolaudimin e objektit shumë katësh që ndodhet në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” dhe që njihet ndryshe si kompleksi “Kamelia”. Për kolaudimet fiktive dhe jo reale, Arben Qato në muajin korrik 2019 është marrë i pandehur nga prokuroria e Durrësit, e cila ka ngritur ndaj tij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Qato në cilësinë e inxhinierit kolaudues, ka kryer kolaudimin e pallatit “përbindësh” në Golem që quhet kompleksi “Kamelia”, që pas kolaudimit nga Qato, pronari i pallatit solli dhe shumëfishimin e kateve. Sipas prokurorisë ky kolaudim është kryer në muajin Maj 2012, duke shkelur të gjitha rregullat e urbanistikës dhe pa pasur asnjë dokumentacion konkret për objektin ekzistues.

Në këtë çështje penale veç Arben Qatos i pandehur për “Ndërtim pa lejë” është marrë dhe pronari i “përbindëshit” “Kamelia” Enver Shala, e bashkë me të dhe ish-kryekomunari i Rrashbullit, Hysen Gashi, Merita Zeqaj, Valentin Stanaj, Alketa Blakaj dhe shoqëria "Universal Engineering 08"shpk. Por kur në datën 5 shkurt, pritej që gjyqtarja paraprake e çështjes, Eda Kaja, të kalonte për gjykim dosjen penale në ngarkim të pandehurve të mësipërm, ajo ka vendosur pushimin e çështjes penale, duke e cilësuar se nuk ka prova materiale. Gjyqtarja Kaja ka një lidhje shoqërore me Dëshira Qato, bashkëshorten e të pandehurit në këtë çështje Arben Qato, shoqëri kjo që evidentohet edhe në profilin e tyre në rrjetin social “Facebook”. Por pavarësisht këtij pushimi Dëshira Qato dhe Arben Qato, vijojnë të jenë në kërkim pasi në një vendim tjetër gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tyre masën e arrestit në burg në mungesë për akuzën e vrasjes.