EKSKLUZIVE/ Nga nusja ruse e Ylli Pangos tek këngëtarët e dasmave, ‘heronjtë’ e Metës që i pajisi me shtetësi shqiptare në shkelje të ligjit

16 Tetor 2020, 23:42 | Përditesimi i fundit: 2020-10-18 13:32:39

Ditën e enjte Presidenca reagoi kundër investigimit të Shqiptarja.com mbi skandalin e dhënies së nënshtetësisë nga Ilir Meta, duke pretenduar se përfituesit nënshtetësisë me procedurë të jashtëzakonshme dhe pa plotësuar kushtet ligjore janë ''familjarët e Dëshmorëve të UÇK-së dhe artistët e intelektualët e spikatur shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Diasporë''. Por, në vijim të investigimit, rezulton se vetëm një pjesë shume i vogël e listës me 382 emra janë vërtetë intelektualë, njerëz të respektuar, artistë dhe familjarë të dëshmorëve, të cilët e meritojnë nënshtetësinë edhe duke shmangur procedurën e zakonshme e cila kërkon rreth 1 vit kohë.

Ndërkaq, pjesa tjetër janë njerëz të lidhur me histori korrupsionit dhe skandale të ndryshme kryesisht nga Kosova, të cilëve u është gjendur Ilir Meta, duke u hapur rrugën të marrin një pasaportë shqiptare dhe të lëvizin pa viza brenda Bashkimi Evropian. Ditën e djeshme publikuan një listës me personazhe të dyshimtë që janë pajisur me nënshtetësi nga Ilir Meta në emër të interesit kombëtar, ndërsa sot po sjellim emra të tjerë pjesë e qokave të Presidentit dhe muzikës tallava.  

Mes 382 emrave që Presidenti Ilir Meta u ka dhënë shtetësinë shqiptare pa plotësuar kushtet dhe zbatuar protokollet e sigurisë, me pretendimin se janë ‘asete të kombit’, janë ‘intelektualë të shquar’ dhe ‘familjarë dëshmorësh’, rezulton për shembull nusja e re ruse e Ylli Pangos, ish- ministër i Kulturës së Sali Berishës. Ajo është Maryna Yurii Pango (Lytvyneko/Korolkova), për të cilën Meta është vënë në lëvizje, duke shmangur procedurën e rregullt në dhënien e shtetësisë. Pjesë e listës është edhe Maria Vjacheslav Pacolli (Shichkova), nusja e Behgjet Pacollit, ish-president i Kosovës, biznesmen dhe kryetar i Partisë Aleanca Kosova e Re. Zonja në fjalë nuk plotësonte kushtet ligjore për fitimin e shtetësisë, ndaj Meta e ka futur në kategorinë e ‘asetit kombëtar’, duke i dhënë shtetësinë shqiptare pa procedura.

Në të njëjtën formë, shtetësinë shqiptare e ka marrë nga Ilir Meta edhe Rejhan Vuniqi, e cila shoqëron Behgjet Pacollit nëpër botë. Për ‘merita të veçanta’ dhe si ‘heronj’ janë pajisur me nënshtetësi nga Ilir Meta edhe disa persona, të cilët në fakt rezultojnë këngëtarë dasmash dhe të rrymës së njohur tallava. Ata janë Behar Spahiu, i njohur për këngë dasmash dhe kolazhe, Kujtim Aliu, Imer Rama, Naim Abazi, i cili është edhe bashkëshorti i Mihrije Braha, Shkumbin Kryeziu, Astrit Lekaj, Bekim Kryeziu, Fatmir Muja, autor këngësh etj.