Ekskluzive/ Pagat dhe dietat e krerëve të drejtësisë dhe të shtetit për 2020, kryesojnë Vitore Tusha e Sandër Simoni deri në 40 mijë USD, ja ku renditen Meta, Ruçi dhe Rama

5 Qershor 2021, 20:50

Njerëzit e drejtësisë së re paguhen nga 30-40 % më shumë se sa krerët e shtetit, rrjedhimisht edhe të politikës shqiptare. Referuar deklaratave të pasurisë për vitin 2020, të siguruara nga Shqiptarja.com, anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, e cila ushtron edhe kompetencat e kryetares, ka marrë 3.4 milionë lekë pagë ose 34 mijë USD për vitin 2020. Ndërkaq, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë periudhës mars-dhjetor 2020, deklaron 2.9 milionë lekë. Sandër Simoni, i cili gjatë vitit 2020 ka drejtuar Gjykatën Speciale të Shkallës së Parë dhe në 2021 u emërua në Gjykatën e Lartë, deklaron rreth 4 milionë lekë ose 40 mijë USD të ardhura nga paga.

Krerët e KLP-së dhe KLGJ, Gent Ibrahimi dhe Naureda Llagami kanë marrë nga 2.8 milionë lekë pagë vjetore. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë marrin gjithashtu nga 2.8 milionë ose 28 mijë USD paga në vit. Ndërkaq, Presidenti Ilir Meta deklaron 1 981 114 lekë të ardhura nga paga për vitin 2020, si dhe 600 euro dhe 960 USD të ardhura nga dietat si kreu i shtetit. Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaron 2.3 milionë lekë ose rreth 23 mijë USD të ardhura nga paga për vitin 2020. Kryeministri Edi Rama deklaron 1 777 430 lekë ose rreth 17 mijë USD të ardhura nga paga dhe zero dieta.