Ekskluzive/ Të arrestuarit në Vlorë: Bëmë remontin e tragetit, s’ka pesticide! Fuçitë me vaj

21 Shkurt 2020, 15:54

TIRANE - Zbardhen detaje të reja nga transportimi i lëndëve të rrezikshme kancerogjene nga porti i Brindizit në Itali në drejtim të portit të Vlorës në Shqipëri. Gjatë kontrollit të hambarit të tragetit, policia e Vlorës ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë plot 40 metër kub, i cili është lesh xhami, material ky që shërben për izolimin e pjesëve të brendshme të anijeve, në mënyrë që uji të mos depërtojë në brendësi të mjetit lundrues. Veç këtij materiali policia e Vlorës ka sekuestruar dhe mbi 10 fuçi me mbishkrimin “Eni”, që dyshohet të jenë të një kompanie italiane nafte në Itali. Sipas burimeve të policisë së Vlorës, materiali lesh xhami i gjetur në hambarin e tragetit, dyshohet se përmban lëndën e Amiantit, material kancerogjen që mendohet se groposej në rrethinat e Vlorës. Por gjithmonë sipas policisë, do jetë ekspertiza laboratorike që do qartësojë situatën se çfarë materiali përmbajnë këto sende.

Lidhur me këtë ngjarje dhe pas dyshimeve të lindura për trafikim të pesticideve të rrezikshme për shëndetin dhe kontrabandimit të mallrava, policia e Vlorës ka kryer arrestimin e Festim Tafës, 72-vjeçar, kapiteni i tragetit “S.T. Damian”, zv/kapitenin Kujtim Xhaferllari 65 vjeç banues në Vlorë, drejtori i një agjencie tragetesh A.B 48 vjeç dhe shoferi i furgonit ku është gjetur një pjesë e vogël lesh xhami, Arbër Çuni 28 vjeç. Në pranga ka rënë dhe administratorja e kompanisë “Delfini 1” Elisabeta Çuni, e cila i ka sjellë në Shqipëri këto produkte duke i kamofluar si produkte kimike pastrimi.

“Shqiptarja.com” ka mundur të zbulojë dëshminë e personave të arrestuar për këtë ngjarje, të cilët kanë pohuar se sasia e leshit të xhamit e sekuestruar në hambarin e anijes është lënë aty pas një rikonstruksioni total që i është bërë anijes.

Sipas rrëfimit të kapitenit të anijes por edhe personave të tjerë të arrestuar, anija në pjesën e brendshme përmban material lesh xhami, me qëllim të parandalojë futjen e ujit të detit brenda.

“Para pak kohësh kemi kryer remontin e plotë të anijes dhe për këtë kemi hequr dhe materialin lesh xhami, që anija e ka për izolimin e ujit. Punëtorët kanë hequr materialin e vjetër duke e zëvendësuar me lesh xhami të ri. Materialin e vjetër e kemi grumbulluar në hambarin e anijes, pasi skemi pasur mundësi ku ta hidhnim”, ka treguar kapiteni i anijes.

Sipas burimeve policore, në total janë sekuestruar 40 metër kub lesh xhami, ku për të provuar nëse kemi të bëjmë me material të rrezikshëm shëndeti, janë marrë mostra me qëllim analizimin e lëndës në laborator.

Ndërsa për sa i përket mbi 10 fuçive të sekuestruara brenda në traget, të arrestuarit kanë pohuar se ato nuk përmbajnë asnjë material të rrezikshëm, por janë të mbushura me vaj që shërben për motorat e tragetit. Sigurisht edhe për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me vaj motori apo me pesticide të rrezikshme nga këto fuçi janë marrë mostra të veçanta, me qëllim analizimin me tyre në laborator.